Protesta e “Astirit”/ Dita e 65-të, banorët: Qeveria ka mbaruar, është rrëzuar

Banorët e “Astrit” kanë dale përsëri  ditën e sotme në protestë dhe kërkojnë anullimin e projektit që prek banesat e tyre. Është dita e 65-të e protestës, ndërsa banorët ende nuk pranojnë të dorëzohen përpara projektit, i cili sipas tyre është korruptiv dhe diskriminues.

Ata deklarojnë se protesta e tyre do të vijojë deri në anullimin e projektit duke iu bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’i mbështesin. Njëri nga banorët protestues u shpreh se, qeveria që mbjellë e shkul palma me lekët tona që përmbysin autostradat, duhet të dëmshpërblejë banorët me 100% të vlerës së pronës.

“Edi Rama ka mbaruar, ka mbaruar, qeveria është rrëzuar, është rrëzuar. Ti nuk je kryetari jonë. Veliaj do të tërheqim zvarrë nga bashkia”, u shpreh një prej banorëve.

Pranë tyre ndodhet dhe deputeti i PD-së Klevis Balliu i cili shprehet se protestuesit janë sovrani dhe se PD është në mbështetje të tyre.

“Nëse këta mendojnë të përdorin forcën e kanë shumë gabim pasi sovrani është këtu dhe po thotë o dorëzohu, o largohu. Unë ftoj të gjithë qytetarët t’u bashkohen juve. Kjo qeveri nuk njeh ligjin por njeh vetëm mashtrimin. As Veliaj dhe as Rama nuk mund të vijnë këtu dhe të prishin banesat tuaja.”, u shpreh Balliu.