Shpërndanin drogë në disa qytete, në pranga 5 shtetas

Policia e Shtetit ka zhvilluar katër operacione kundër trafikut të drogës, në disa qytete të ndryshme të shqipërisë. Gjatë këtyre katër opercioneve të zhvilluara në Fier, Shkodër, Durrës dhe Himarë, janë arrestuar 5 shtetas.  Shtetasit janë kapur në flagranë duke shpërndarë doza të vogla.

Policia bën me dije se për parandalimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave apo të lokaleve të natës, janë ushtruar kontrolle të shumta në ambiente të ndryshme. Në Fier u  kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: A.H., 38 vjeç, si dhe V.P., 55 vjeç, nga Fieri, pasi në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në mjetin me të cilin udhëtonin, u gjet dhe sekuestrua  1 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.

Në Shkodër u arrestua në flagrancë shtetasi E.C., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit iu gjetën në trup doza lënde narkotike kanabis, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij janë gjetur edhe 73 doza të tjera me lëndë narkotike të dyshuar kanabis të futura në qese plastike.

Në Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi M.V., 28 vjeç, pasi gjatë kontrollit personal i janë gjetur 9 doza me lëndë narkotike të dyshuar marijuanë, të futura në qese. Në Himarë u arrestua shtetasi S.J., 28 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjetën dhe iu sekuestruan 100 doza lënde narkotike e dyshuar kanabis.