Sot ministrat e rinj betohen në Presidencë, opozita nis protestat

Rreth orës 14:30 të ditës së sotme në Presidencë do të betohen ministrat e rinj, të cilët  u votuan një ditë më parë në Parlament. Do të mungojë emri i ministrit të Jashtëm, i cili për momentin po mbahet peng nga vendimmarrja e presidentit Meta.

Ndërkohë për këtë post është propozuar emri i kryeministrit Edi Rama, si një kandidat i mundshëm.

Në seancën e jashtëzakonshme plenare, ditën e djeshme opozita kërkoi fjalën për të debatuar mbi këto ndryshime në qeveri, por shumica nuk ishte dakord. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se në asnjë nen të rregullores së Kuvendit nuk thuhet që votimet e dekreteve të Presidentit për shkarkime dhe emërime bëhen me debat. Ky mospranim nga ana e Ruçit bëti që opozita të largohej nga Kuvendi.

Pas daljes nga Kuvendi opoziarët paralajmëruan protesta

Lulzim Basha tha: “Fjalën e opozitës e mohoi Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri. Sot praktikisht qeveria ra. i bëjmë thirrje çdo shqiptari për mobilizim total për largimin mediat të Edi Ramës”. “Sot kemi një qeveri të vdekur. Kishim një qeveri në koma sepse erdhi në pushtet me votat e krimit. Jemi në një gjendje emergjence kombëtare, për herë të parë që nga koha e Enver Hoxhës, Kryeministri mban edhe postin e ministrit të Jashtëm”, shtoi ai.

Ndërsa kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha: “Nuk është çështje bojkoti, por duhet të largojmë një herë e më parë këtë qeveri. Sot kemi një Parlament të marrë peng. Shumë shpejt do ta keni edhe agjendën e veprimeve tona”