Strategjia e policisë për mbrojtjen e Kryeministrisë

Ardi Veliu, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi personalisht efektivët në mbyllje të protestës së opozitës.

Kordoni i parë ishte ai që u përball me turmën gjatë momenteve të tensionit. Ndryshe nga çdo masë tjetër të cilën jemi mësuar ta shohim në protesta, kësaj here policia ishte pajisur me maska kundërgaz. Sipas A2 CNN, një veprim i tillë u komentua me dyshimet se protestuesit mund të posedonin tymuese të rrezikshme, por kjo ishte pjesë e planit operacional.

Në rastet e përkeqësimit të situatës, efektivë të gardës lëshonin gazin lotsjellës. Pak para nisjes së protestës, policia rrethoi të gjithë perimetrin e kryeministrisë. Mbi 1500 forca policore u angazhuan për mbrojtjen e selisë së këshillit të ministrave ndërsa në brendësi të saj u dislokuan Garda e Republikës, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, ato të RENEA-s dhe repartet zjarrfikëse.

Në përfundimin, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përmes një postimi në rrjetet sociale përgëzoi Policinë e Shtetit. Ai tha se u bë dallimi, si reagoi policia sot ndaj protestuesve dhe si reagoi në 21 janar të vitit 2011, kur u vranë katër prej tyre. Nga protesta e opozitës mbetën 7 efektive të plagosur. Ndërkohë që pas përfundimit të tubimit nisi identifikimi për personat që goditën dhe sulmuan Kryeministrinë.