Shtyhet sërish pretenca për Balilin

Gjykata shtyu sërish seancën ndaj Klemend Balilit. Në seancën e sotme, prokuroria pritej që të jepte pretencën ndaj tij. Balili dhe avokati i tij, Theodhori Sollaku nuk u paraqitën në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Mësohet se ky i fundit ka ka kërkuar kohë duke paraqitur një raport mjeko-ligjor.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë për në 2 prill dhënien e pretencës për Balilin. Kjo është hera e dytë që Prokuroria nuk jep pretencën, një gjë e tillë ndodhi edhe më 12 mars, ku prokurori i çështjes, Ened Nakuçi, nuk dha konkluzionet e akuzës, pasi avokati i tij kërkoi kohë duke paraqitur edhe atë ditë një raport mjeko-ligjor.

Mbi të ashtuquajturin “Eskobar” të Ballkanit, rëndojnë 4 akuza:

Trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal; Refuzim për deklarim dhe mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë; Pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Balili nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa pas rreth dy vjetësh në kërkim, ai u vetëdorëzua në momentin kur dosja shkoi për gjykim.