Thaçi pro korrigjimit të kufijve: Pa u cënuar territori Kosovës

Samiti i II-të i Diasporës Shqiptare po zhvillohet në Tiranë, ku marrin pjesë personalitete shqiptare të spikatura të biznesit, shkencës, artit dhe kulturës që jetojnë jashtë vendit.  Mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama ka pritur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjithashtu është pjesëmarrës në samit.

Nga samiti Thaçi, ka folur për shkëmbimin e territoreve dhe se ai mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndodhë kurrë.

Ai e konsideroi një gjë të tillë si pazar, duke shtuar se nuk do të lejohet. Presidenti i Kosovës tha se është për korrigjim kufijsh, por pa cënuar territorin e Kosovës.

“Shkëmbimi i territoreve. Keni dëgjuar shumë këto, por kurrë nuk do të ndodhë. Shkëmbimi i territoreve është pazar dhe dhe askush nuk do të lejohet të bëjë pazar me kauzë kombëtare. Ndarja e Kosovës pa shkelur në trupin tim, nuk do mund ta cenoj askush, asnjë pjesë të territorit të Kosovës. Për ndarje të Kosovës, ata që flasin sot janë ata që e kanë ndihmuar Millosheviçit, të cilët i kam dëbuar nga Kosova. Askush nuk do mund të cenojë as Trepçën, as Kosovën dhe asnjë pjesë të territorit të Kosovës. Ata që flasin për ndarje të Kosovën janë miq të Milloshevic. Korrigjim të kufijve , po, por pa u cenuar territori  Kosovës.”- tha Thaçi.