Protestat vazhdojnë! Basha paralajmëron luftë dhe këndon himnin

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka theksuar në mbyllje të protestës se lufta për rrëzimin e qeverisë së Ramës do të vazhdojë. Ai u bëri thirrje protestuesve që vazhdojnë kauzën e përbashkët për një Shqipëri më të mirë dhe dinjitoze për të gjithë.

“Fundi i Edi Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran. Tik Tak, Tik Tak… Sjelljes prej pushtuesi ndaj popullit të tij, Edi Rama dhe klika e tij kriminale do të marrë përgjigjen e merituar çdo ditë, ku ndodhen shqiptarët e lirë.

Ndaj ne do ta vazhdojmë këtë betejë, pasi jemi në rrugën e sigurt të shpëtimit të vendit nga klika pushtuese, pasi jemi shumica e bashkuar e shqiptarëve. Nesër me zgjedhje të lira e të ndershme, me zotimin për të ndërtuar mbi gërmadhat e diktaturës së Edi Ramës vlerat e vërteta të demokracisë”, është shprehur Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se me opozitën është sot shumica e shqiptarëve të vjedhur, të torturuar, të gjobitur, të poshtëruar dhe të shantazhuar.

“Ne do të bëjmë të mundur që çdo sakrificë e këtyre betejave, çdo sakrificë e qytetarëve shqiptar të kujtohet me krenari dhe mirënjohje, si themeli i vërtetë i Shqipërisë europiane. Ndaj le ti marrim me vete gjithçka që përjetuam sot, për t”i shkuar betejës deri në fund dhe për t”u treguar sot fëmijëve tanë dhe nesër brezave të rinj, se ne nuk heshtëm, nuk e ulëm kokën, u bashkuam, protestuam dhe fituam”, deklaroi Basha.

Në fund të fjalës së tij, kreu i opozitës këndoi himnin kombëtar, gjë që e ka kthyer tashmë në traditë në përfundim të çdo proteste.