Babai i ushtarakes së vrarë në Letoni tregon mesazhin e fundit që i tha vajza para se të ikte


Ngjarja e rëndë e ushtarakes Zarfire Hasanaj që u nda nga jeta tragjikisht gjatë një misioni të NATO-s, ka prekur gjithë opinionin publik në Shqipëri, ndërsa në familjen e saj janë hapur dyert e zisë.

Muharrem Hasanaj, babai i nëntetares së vrarë në krye të detyrës si pasojë e shpërthimit të një mine në Letoni, ku ndodhej me mision mezi i nxjerr fjalët në një rrëfim për News 24, thotë se nuk do që fatin e së bijës ta kenë të tjerë. A tregon me lot në sy edhe fjalët e fundit që i ka thënë vajza e tij, pak orë para se të ndërronte jetë.

“Fatin e vajzës sime mos ta ketë kush. Specialiteti i saj ishte të pastronte vendin nga minat, por i ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte”,- rrëfen ai. “Takimin e fundit me të e kam pasur në 22 dhjetor kur e përcolla në Rinas për në Letoni. Pas asaj dite flisnim vetëm në telefon. Na merrte çdo ditë dhe na pyeste a jemi mirë. Edhe dje në mëngjes folëm. Me tha se ishte mirë dhe se do të shkonte në punë. Pastaj mora lajmin e asaj që ndodhi”,- thotë ndër të tjera babai i Zarife Hasanajt.

I ati shprehet se nuk ka qenë dakord me zgjedhjen e së bijës për të hyrë në ushtri, por se e ka pasur të pamundur t’ia priste ëndrrën në mes.

“Vajza punonte prej më shumë se 10 vjetësh në ushtri. Ishte dëshira e saj. I pëlqente uniforma. Ma ka shprehur këtë dëshirë para 10 vjetësh kur dorëzoi dokumentet për tu pranuar në ushtri. Unë si plak dhe malësor nuk isha dakord me këtë zgjedhje por përsëri e pranova, sepse të rinjve nuk ua pengon dot dëshirat”,- rrëfen më tej ai. /Marrë nga Balkanweb.