Zhvendosja nga banesat, ja si do të veprohet në rastet që parashikon ligji

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë janë përcaktuar edhe procedurat se si do të kryhet largimi nga banesa apo strehimi i individëve apo familjeve, kur një gjë e tillë është e justifikuar me ligj.

“Nuk lejohet zhvendosja të ekzekutohet në mot të keq, nga ora 19:00 deri 7:00, gjatë festave fetare, gjatë fushatave zgjedhore ose gjatë, ose deri dy muaj përpara provimeve përfundimtare të shkollimit të detyrueshëm”.

Drejtësia

VKM përcakton se procedurat e zhvendosjes realizohen në respektim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si dhe të të drejtave e lirive të njeriut të garantuara në Republikën e Shqipërisë e sipas standardeve ndërkombëtare të zbatueshme në vend, përfshirë të drejtën për kushte të përshtatshme strehimi. Të gjithë individët/familjet e prekur/a nga zhvendosja gëzojnë mbrojtje juridike të njëjtë, pavarësisht nëse gëzojnë apo jo titull pronësie mbi banesën apo pronën nga e cila zhvendosen.

Procedura

Procedura e zhvendosjes duhet të realizohet në përputhje me parashikimet e ligjit nr.22/2018; të kryhet në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ratifikuara me ligj; të kryhet vetëm për qëllim të përkrahjes së mirëqenies së përgjithshme; të jetë e arsyeshme dhe proporcionale; të miratohet e të zbatohet në mënyrë të tillë që të mundësojë kompensim të drejtë.

Bashkitë

Procedura e zhvendosjes realizohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Individët/familjet, që preken nga zhvendosja, përfitojnë ndihmë juridike në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën juridike të garantuar nga shteti.

Zhvendosja

Në rastet kur paraqitet e nevojshme, çdo përdorim i ligjshëm i forcës duhet të jetë në respektim të parimeve të nevojës dhe të proporcionalitetit. Punonjësit e zbatimit të ligjit nuk tejkalojnë asnjë parim bazë të përdorimit të forcës dhe respektojnë legjislacionin në fuqi për përdorimin e armëve.

Njoftimet

Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton Avokatin e Popullit për çdo procedurë zhvendosjeje të nisur. Në rastet kur Avokati i Popullit, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, miraton rekomandime, ato publikohen edhe në faqen zyrtare të internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.