Olta Xhaçka tregon kush do e komandojë ushtrinë nesë do të ketë përplasje

Mbrëmjen e sotme në ABC News në emisionin, Mbrëmje abc me gazetaren Mirela Milori, ka qenë e ftuar Ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka.

Xhaçka ka dhënë opinionin e saj në lidhje me situatën politike në vend. Ajo ka komentuar vendimin e presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas Xhackës, Presidenti i Republikës ka bërë shkelje të kushtetutës dhe se zhvillimet politike nga ana e opozitës nuk janë modelet më të mira për demokracinë dhe integrimin e vendit.

Xhaçka tha se kjo shkelje nga ana e presidentit duhet të ketë një kundërpërgjigje. E pyetur nga gazetarja Mirela Milori se nëse do të kishte një situatë ku forcat e armatosura do të duhej të ndërhynin, prej cilit do të merrnin urdhër, Xhaçka tha se kushtetuta e ka të shprehur qartë. Presidenti i Republikës i udhëheq forcat e armatosura në kohë lufte, ndërsa në kohë paqeje kompetencat i ka kryeministri dhe ministri i mbrojtjes.

Nuk janë modelet më të mira për demokracinë. Presidenti është zhveshur nga ajo vlerë që ja vesh kushtetuta sepse presidenti ka marrë një anë. Është antikushtetuese cenimi i të drejtës së votës. Në demokraci debatohet dhe teorikisht parlamenti është beteja e ideve, ne si mazhorancë do shtrojmë të gjithë argumentet tona pse ky vendim i presidentit është antikushtetues. Ky veprim i presidentit duhet të ketë një kundërpërgjigje. Kushtetua nuk thotë askund se presidenti mund të ç’dekretojë dekretet. Akti i presidentit është krejtësisht nul”, tha Xhaçka.

Gazetarja Mirela Milori e ka pyetur ministren Xhaçka se nëse do të krijohej një situatë si ajo e 97 si do të vepronin Xhaçka tha se asnjë situatë e tillë nuk do të ndodhte, por dhe nëse do të kishte tentativa për krijimin e këtyre situatave, organizatorët do të ndëshkoheshin.

“Gjithë aktorët që kërkojnë ta risjellin situatën e 97 do të marrin ndëshkimin që meritojnë. Kushtetuta e ndan qartë,  presidenti drejton ushtrinë në kohë lufte ndërsa në kohë paqe është kryeministri dhe ministri i mbrojtjes. Gjithsesi nuk do të ketë situata të tilla”, theksoi ajo.

Ndërsa në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Xhaçka tha se qeveria i ka bërë detyrat e saj por opozita po bën çdo gjë që vendet të cilat janë skeptike në lidhje me integrimin e Shqipërisë, ta gjejnë justifikimin e mos hapjes së negociatave, te kriza politike në vend.

“Integrimi është proces i vështirë që nënkupton aspektin juridik, politik ekonomik. Opozita është duke i dhënë justifikimin skeptikëve për të menduar se ne nuk jemi gati për integrimin. E keqja është që humbja e këtij stacioni do të na çonte mbrapa nuk e di për sa kohë”, deklaroi Xhacka./abcnews.al