Aktivistët e pakicave Rome dhe Egjiptiane protestë për të drejtat e tyre para kryeministrisë

Duke kërkuar zbatimin e nenit 95, “Për sektorin e energjisë elektrike”, aktivistë të pakicave Rome dhe Egjiptiane kanë vendosur të ngrihen e të protestojnë. Ata kanë vendosur të ngrihen për mosmiratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të këtij neni, që sipas tyre ka shkaktuar pasoja negative në mijëra familje të varfra.

Aktivistët e kanë paralajmëruar protestën ditën e premten në orën 11:00-13:00 përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale.

Më poshtë lajmërimi nga Aktivistët

Neni 95, i ligjit 43 “Për sektorin e energjisë elektrike” siguron të drejtën themelore të familjeve për ndricim, informim, standart minimal të jetesës dhe lehtësira të tjera në kuadër të aksesimit të energjisë elektrike, vecanësisht grupeve vulnerabël përfshirë dhe pakicën Rome dhe Egjiptiane.

Mosmiratimi i Vendimit te Këshillit të Ministrave në zbatim të këtij neni ka shkaktuar pasoja negative në mijëra familje të varfëra.

Ne, aktivistë të pakicave Rome dhe Egjiptiane, sëbashku me disa prej familjeve të varfëra kemi ndërmarrë disa veprime për të vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problemi. Pavarsisht përpjekjeve tona të vazhdueshme dhe të shtrirë në kohë, ende nuk është siguruar marrja e masave konkrete për zgjidhjen e problemit, ndaj ndihemi të detyruar të përshkallëzojmë reagimin tonë përmes një proteste e cila do të zhvillohet më datë 19.07.2019, ditë e Premte, ora 11:00 – 13:00, përpara godinës së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ju bëjmë thirrje të na bashkoheni në këtë manifestim për të reaguar sëbashku!