ALARMI/ Ja qytetet që po boshatisen në Shqipëri

Të dhënat zyrtare japin alarmin për tkurrjen e vazhdueshme të popullsisë shqiptare, si pasojë e pakësimit të lindjeve, rrjedhojë edhe e valëve të reja të emigracionit, si dhe rritjes së vdekjeve.

Instituti i Statistikave raporton se në tremujorin e dytë të këtij viti, qarqet e Vlorës, Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës patën një shtesë natyrore negative, ndryshe nga 8 qarqet e tjera.

Kjo do të thotë se numri i vdekjeve për katër qarqet kanë qenë më i larte se i lindjeve dhe marrë në konsideratë emigracionin këto qarqe janë futur në një proces natyrore të tkurrjes së popullsisë.

Grafiku i mëposhtëm me të dhënat e detajuara tregon lindjet, vdekjet dhe shtesën natyrore të popullsisë në çdo qark.

Lindjet

Numri më i madh i lindjeve, për tremujorin e dytë 2019 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.157 lindje, të cilat shënojnë rënie me 4,2 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018.

Numri më i ulët i lindjeve, për tremujorin e dytë 2019 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 111 lindje, duke pasur një rënie prej 10,5 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018.

Nëntë nga 12 qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2019, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. R

Rëniet më të mëdha të lindjeve, gjatë kësaj periudhe e shënojnë qarqet Shkodër me 17,7 % dhe Fier me 15,0 %. Qarqet, të cilët kanë pësuar rritje të numrit të lindjeve janë Kukësi me 6,3 %, Elbasani me 5,7 % dhe Korça me 4,8 %.

 

Vdekjet

Gjatë tremujorit të dytë 2019, numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 104 vdekje, me një rënie prej 23,0 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018.

Nëntë nga 12 qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të vdekjeve në tremujorit të dytë 2019, krahasuar me tremujorin e dytë 2018.

Rënien më të madhe të vdekjeve, gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Kukësit me 23,0 % dhe Shkodrës me 16,3 %. Qarku i Korçës nuk ka pasur ndryshime krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm, ndërsa qarqet të cilat kanë pësuar rritje të numrit të vdekjeve janë Berati me 16,5% dhe Tirana me 3,9 %.