Basha akuza Ramës: I fute në zyrë kriminelët

Pak pasi kryeministri Edi Rama postoi në Twitter një status, ku paralajmëronte verifikime për të gjithë zyrtarët publikë që kanë bërë vetëdeklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit ka reaguar kreu i opozitës, Lulëzim Basha.

“Krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë, një trafikant i dënuar droge që ka fshehur të kaluarën e tij.  Por është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës”, shkruan Basha.

“Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! Gjatë regjimit të tij, Shqipëria u kthye në parajsën e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe korrupsionit. Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën”.