Ish-deputetja e LSI ironizon për Valdrin Pjetrin: Ky është modeli tipik te rilindasit

Me tone ironike dhe tallëse, ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj ka reaguar në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur në 30 qershor të Shkodrës, Valdrin Pjetri.

Në sinkron me Partinë Demokratike, lidhur me reagimet ndaj zhvillimeve të fundit politike sa i përket figurës së Valdrin Pjetrit, Mehmetaj shkruan me ironi për atë që është zbuluar këto.

Në një reagim të shkurtër më rrjetet sociale, Mehmetaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka promovuar kriminelë në pushtet dhe se as distancimi i tij nuk e ndihmon për të larguar përgjegjësitë që duhet të mbajë.

“Gjatë këtij gushti shumë të nxehtë dhe tepër të vështirë qoftë në aspektin social por mbi të gjitha ekonomik, shqiptarët po ndjekin me vëmendje zhvillimet politike. Ndërkohë që të gjithë kërkojnë reflektim e zgjidhje, e kundërta po ndodh e çdo ditë qytetarët ndjejnë të ushtrohet mbi ta presion, arrogancë, kokëfortësi e padrejtësi nga një pushtet që antikushtetueshmërisht po mban peng institucionet tona. Ndërsa familjet e thjeshta shqiptare shohin se si shteti hidhet kundër tyre me gjoba, taksa e kërcënime, pushtetarët, oligarkët dhe kriminelët shpërblehen me koncesione, PPP dhe ofiqe të larta.

Aq i zhytyr është ky pushtet në batakun e korrupsionit e krimit, sa edhe njëherë të vetme që menduan se do e merrnin Shkodrën (pa garë), përfunduan duke dekoruar si kryetar të saj modelin tipik të rilindasit; atë që shpërblehet jo për zotësi por për lidhjet e pashmangshme me krimin (ku duhet theksuar narkotrafiku mbizotëron). Maska është çjerrë, madje është hequr fare, asnjë lojë marketingu, as gjoja “larja e duarve” me Kryetarin Rilindas të Shkodrës, nuk e shpëton më këtë pushtet dhe Edi Ramën si kreun fuqiplotë të tij”, shkruan Mehmetaj.