Ish-ministri apel Opozitës: Lini pushimet, vendi ka nevojë urgjente

Ish-ministri dhe ish-deputeti i LSI-së Edmond Panariti iu ka bërë thirrje politikanëve dhe liderëve kryesorë të lënë pushimet dhe të ulen për dialog për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Duke folur për opsionet e daljes nga kjo krizë, Panariti tha në “Opinion” në Neës24 se zgjedhjet janë e vetmja rrugë.

“Ka ndodhur një diçka e rëndë, nuk pritet të ndodhë por duhet të zhbëjmë atë që ka ndodhur. Ndodhemi në një autokraci. Po instalohet dhe në institucione. Kemi të instaluar një pushtet që nuk është përfaqësues i vullnetit popullor. Sistemi duhet futur ne binaret e kushtetutës.

Ne duhet të shkojmë tek zgjedhja. Ne duhet të respektojmë dekretin e Presidentit. Janë dekrete që janë detyrim për t’u zbatuar. Palët i kanë si vektor për daljen nga situata. Kjo situatë do mbajë peng zhvillimin e vendit”, deklaroi ai.

Sa i përket dorëzimit të bashkive nga kryetarët që përfaqësojnë opozitën ai tha se nuk do ishte normal konfrontimi.

“Do ishte butafori nëse do shkohej në konfrontim për dorëzimin e bashkive. Vendi ka nevojë urgjente, ulëritëse për zgjedhje sa më parë. Lini pushimet e uluni në tryezën e dialogut, nuk ka zgjidhje tjetër”, apeloi Panariti.