Aksioni anti-informalitet, goditen 9 biznese karburantesh, mbi 1 milionë euro detyrime në shtet (EMRAT)

Nëntë kompani në fushën e hidrokarbureve rezultojnë me mangësi, ndërsa detyrimet e tyre arrijnë rreth 129 mln lekë (1.06 mln euro).

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Arlind Gjokutaj ka bërë të njohur rezultatet e kontrollit në kuadër të operacionit kundër informalitetit.

Gjokutaj tha se aktualisht janë liruar nga detyra 5 doganierë mbikëqyrës, janë thirrur në komisionin disiplinor 9 doganierë të tjerë.

“Në zbatim të planit operacional për kontrollin e produkteve energjetike, Departamenti i Analizave dhe Aposteriorit në DPD, ka kryer kontroll për:

8 magazina të lira për karburantet me vendndodhje në Porto Romano, Lezhë dhe Vlorë; 4 magazina të lira për produktin Gaz i Lëngshëm Natyror me vendndodhje në Vlorë dhe Porto Romano si edhe 3 rafineritë e përpunimit të naftës bruto në Fier, Ballsh dhe Elbasan.

Kontrolli u krye për periudhën 2018 – deri në gusht 2019, dhe konsistoi në krahasimin e të dhënave të sistemit informatik doganor, matjeve fizike të vitit 2018 me gjendjet e matjeve fizike të kryer nga grupi i kontrollit, duke shtuar veprimet doganore të periudhës në kontroll”, tha Gjokutaj.

Sipas tij, grupi i kontrollit gjithashtu, përllogariti dhe analizoi firot natyrore e teknike të njohura sipas bazës ligjore në fuqi.

“Në përfundim të kontrollit, për çdo operator që ka rezultuar me sasi të munguara janë llogaritur detyrimet doganore të munguara dhe janë aplikuar sanksionet përkatëse sipas Kodit Doganor dhe Ligjit për akcizat.

Si rezultat i këtij procesi kanë rezultuar mangësi nga gjendja e deklaruar te të gjithë operatorët që operojnë me karburant në magazinat e lira, 1 operator që operon me gazin natyral të lëngshëm dhe 1 rafineri prodhimi, më konkretisht si më poshtë:

ROYAL TRADE COMPANY sha
PORTO ROMANO OIL sha
GENKLAUDIS sha
EUROPETROL sha
EROIL sha
BOLUNMEZ PETROL sha
LA PETROLIFERA ITALO – ALBANESE sha
MARE OIL Sh.A
TOSK ENERGJI Sha,

Në total, nga i gjithë procesi i kontrollit rezultuan diferenca për 752,015 litra karburant dhe 77,451 litra gaz. Në total detyrimi i munguar dhe penalitetet për këto sasi janë rreth 129 mln lekë (1.06 mln euro)”, tha Gjokutaj.