I shpëtoi burgut/ Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Krimeve të Rënda për Saimir Tahirin

Ditën e djeshme pas një seance maratonë dhe pas më shumë se 10 orësh pritje të vendimit, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar ish-ministrin Saimir Tahiri me 5 vite burg, të cilat do ti konvertohen në 3 vite shërbim prove me akuzën për shpërdorim detyre.

Ndërsa sot është zbardhur vendimi i plotë i gjykatës.

“Deklarimin të të pandehurit Saimir Tahiri për veprën penale të shpërdorimit të detyrës të parashikuar nga neni 248 i kodit penal dhe dënimin e tij me 5 vjet burgim

Deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Saimir Tahiri për veprat penale të grupit të strukturuar kriminal të parashikuar 363 a paragrafi i dytë i kodit penal pasi nuk vërtetohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet bazuar në nenin 338 pika 1 gërma d të Kodit Penal.

Në bazë të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Saimir Tahiri për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3,4 vite burg. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal pezullohet dënimi e burgim për të pandehurin dhe vënien e tij në provë për një afat 3 vjet me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale duke urdhëruar që i pandehuri të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës. Heqja e së drejtës të të pandehurit Saimir Tahiri për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 3 vjet bazuar në nenin 35 paragrafi 2 i Kodit Penal”, shkruhet në vendimin e gjykatës.

Tahiri tha se do ta apelojë vendimin e Krimeve të Rënda.