Plas në mbledhjen e PS, Doshi e Sterkaj debat me Ramën: Nuk po na pyesin për drejtorët

Mbledhja e sotme e Këshillit Koordinues të Partisë Socialistë për Veriun është shoqëruar me debate.

Konkretisht deputeti Tom Doshi dhe Paulin Stërkaj kanë replikuar me kryeministrin Rama duke u ankuar se deputetët e tjerë të Shkodrës Senida Mesi dhe Luan Harusha nuk po marrin parasysh propozimet e tyre përsa i përket emërimit të drejtorëve në administratë.

‘’Për emërimet e drejtorëve, Senida Mesi dhe Luan Harusha nuk po na pyesin’’, mësohet të kenë në mbledhje deputetët Doshi dhe Sterkaj para Ramës.

Ndërkohë kryeministri Rama u është përgjigjur duke u thënë që të ulen bashkë e ta diskutojnë me njëri tjetrin.

“Kur unë ulem me Ilir Metën dhe Sali Berishën pse nuk uleni ju me njëri-tjetrin?! Toma është parti tjetër por është aleati ynë, ndërsa Paulini është përgjegjës për Malësinë së Madhe, por ka të drejtë të japë mendim për drejtorët rajonalë që prekin edhe këtë bashki”, mësohet se ka thënë Rama.

Në mbledhjen e sotme dhanë dorëheqjen 4 drejtorë të qarkut të Shkodrës: Myzafer Bushi i Degës së Thesarit, Shkëlqim Sterkaj i ARRSH, Agim Shima i Hetimir Tatimor dhe Brian Muriqi i Entit të Banesave.

Kërkesa e tyre u pranua nga anëtarët. Ndërkohë, Rama këmbënguli se 80% e drejtuesve të administratës së qarkut Shkodër duhet të largohen nga detyra.