SKANDAL/ Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” në gjendje alarmante, të infektuara sallat operative, inkubatorët dhe maskat e bebeve

Instituti i Shëndetit Publik në një raport të botuar tregon se materniteti spitalor “Mbretëresha Geraldinë “ në Tiranë është një vatër infeksionesh.

ISHP ka analizuar mjetet dhe zonat me rrezik të lartë infeksioni, ku ka rezultuar nivel i lartë i pranisë së bakterit Stafilokok dhe E.coli. Kjo përkthehet në një rrezik infeksioni për bebet dhe nënat.

“Nga totali i 65 mostrave të marra në ambientet e maternitetit “Mbretëresha Xheraldinë“ rezultuan: 50 mostra negative, 5 mostra me identifikim të E.Colit, 3 mostra me identifikim të Staphylocoçus të Artë, 1 mostër me Pseudomonas Auregynosa, 2 mostra me identifikim të E.Colit + Pseudomonas auregynosa, 4 mostra me kontaminim mesatar“, thuhet në studim.

Llampa e sallës operative, rezulton me një kontaminim të rëndë, ndërsa  kontaminim të nivelit mesatar paraqesin aparati endoskopik, tavolina e medikamenteve dhe maska. Bakteri tejet i rrezikshëm, E.Coli, që shkakton helmim, dhe në raste komplikimi sjell edhe vdekjen, është gjetur në solucionin e shishes së aspiratorit, në dysheme, në solucionin e furçave kirurgjikale dhe në lavaman.

Sistemi i filtrimit është gjetur me prani të stafilokokut, bakteri që shkakton një grup infeksionesh në trupin e njeriut.

Ndërsa prani e bakterit Pseudomonas Auregynosa ka në sistemin e filtrimit dhe në solucionin e furçave. Pseudomonas aeruginosa është një bakter patogjenit oportunist, në infeksionet e pacientëve me djegie të rënda, sëmundje neoplastike apo fibrozë cistke, që në shumë raste shpien në endokardit, bronkopneumoni apo meningjit.

ISHP këshillon që Gjinekologjia të pastrohet dhe të dezinfektohet, si dhe të merren masat edhe për stafin që punon në këtë repart.

Raporti: buletini-1-2019-full-pdf