“Të hetohet edhe Rama”, Tahiri shokon me deklaratën para Gjykatës sot

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë sot para Gjykatës, ku ka mësuar pretencën e prokurorisë prej 12 vitesh burg. Para Gjykatës, por edhe para gazetarëve në dalje nga seanca, Tahiri ka bërë disa deklarata shumë të bujshme.

Tahiri I pyetur lidhur me deklaratën që bëri në Gjykatë, kur tha se nëse përgjimi ku flitej se ai në kohën që ishte ministër kishte marrë 20 milionë euro në fushatë merret si i vërtetë, atëherë duhej të hetoheshin të gjithë, dhe se a i referohej Edi Ramës në këtë rast, Tahiri tha se nëse Gjykata e beson atë përgjim, atëherë duhet të hetohen të gjithë.

“Nëse ka një pretendim që harxhoja 20 mln euro në fushatë, që në atë kohë unë kisha një muaj në detyrë dhe dy trafikantë bisedonin ai merr 5 milionë euro në muaj, atëherë nëse e merr seriozisht ketë përgjim, thash që nuk duhet të kursente njeri pa hetuar.

Ç’është kjo parti dhe këta njerëz që harxhojnë kaq para? Por ata e dinë që është një përgjim thashethem dhe ordiner… E përsëris, prokuroria ka pasur 2 vjet kohë ta hetonte për mua”, tha Tahiri.

Më tej ai shtoi se nuk ka logjike që të akuzohet për trafik droge, në një periudhë që luftonte me krimin dhe bandat e drogës në Lazarat, dhe nga ana tjetër “tu shkelte syrin” disa trafikantëve.

“E keni harruar ministrin që isha dhe luftën që bëra për kriminalitetin… nuk bëhej fjalë që në një kohë që luftoja Lazaratin t’i shkelja syrin disa trafikantëve”, tha Tahiri, ndërsa shtoi se “nuk kam marrë asnjë provë të re, por ka analizuar vetëm provat e prokurorisë. Jaeld Çela nuk ka qenë as drejtor, as polic në Vlorë kur ata na akuzojnë që kemi bashkëpunuar në trafik droge”, tha ai.