Holanda kundër hapjes së negociatave, Rama ‘lan duart’ nga përgjegjësia: Çështje e brendshme e politikës, s’kanë gjë me Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur nga foltorja e Kuvendit në seancën e sotme parlamentare, ka folur edhe për cështjen e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Sipas Ramës hapja e negociatave nuk lidhet me kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria, pasi kjo gjë tashmë është arritur sipas tij, por ka të bëjë me problemet e brendshme të vendeve anëtare, konkretisht me Holandën.

“Besoj se e ndoqët debatin në parlamentin holandez. Ma ha mendja se ai debat ishte një mundësi për të kuptuar të gjithë, natyrisht të gjithë ata që duan të kuptojnë sesa e pavërtetë dhe sesa e padrejtë është e tërë propaganda që synon të lidhë luftën e brendshme politike në Shqipëri me qëndrimet e disa vendeve me të cilat është natyrisht edhe Holanda.

Besoj se me debatin e djeshëm holandez cdokush që do të kuptojë, e ka parë se si çështja e ecurisë së mëtejshme është trajtuar si një cështje e politikës së brendshme të atij vendi. Besoj se duke ndjekur debatin holandez, kushdo që dëshiron ka mundur të kuptojë se të gjitha fjalimet i janë drejtuar elektoratit të atij vendi. Besoj se ju kanë mjaftuar të gjithë atyre që në mënyrë vulgare janë munduar të paraqesin një tablo të pikturar sipas ngjyrave të tyre politike.

Nuk ka në Shqipëri një parti politike që të predikojë një plan tjetër apo të orientojë mesazhin në një horizont tjetër përtej BE. Nga ana tjetër të gjithë ata që janë përpjekur të thonë që ndarja në propagadë dhe qëndrime mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të çojë në ndarje jo vetëm kanë gabuar por kanë dështuar në përgatitje të një terreni në axhendën e tyre politike.

Ka një ndryshim të madh dhe ky ndryshim është qasja e opozitës këtu dhe qasja e opozitës në një vend tjetër, flas për opozitën që nuk është këtu në parlament, që dogji mandatet për të minuar negociatat. Opozita e Maqedonisë së Veriut me një qasje krejt ndryshe nga kjo e jona ka frymëzuar qasjen e opozitës këtu.

Pavarësisht konfliktit të brendshëm opozita e Maqedonisë as dje as sot nuk merr rugët e europës për të bërë të pabërën për vendin e vet, për të ushqyer çdo ditë ata të cilët e kam thënë disa herë edhe në këtë sallë nuk janë kundër Shqipërisë, nuk kanë ndonjë gjë specifike me Shqipërinë por kanë qasje të ndryshme.”, u shpreh Rama.