“Koha i dha të drejtë Metës” Patozi ndihet fajtor: Votova për gabimin historik, jam plotësisht dakord me Presidentin

Kryetari i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka pranuar duke bërë dhe një lloj autokritike duke i dhënë të drejtë presidentit Ilir Meta në lidhje me faktin që situata politike në Shqipëri u rëndua pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.

Ndër të tjera Patozi ka bërë dhe një lloj “mea culpa” duke thënë se edhe ai vetë ka qenë pjesë e atyre që e kanë votuar atë gabim historik edhe pse nisur nga një qëllim i mirë.

“Koha i ka dhënë të drejtë Ilir Metës, i cili asokohe ishte në grevë urie për ta kundërshtuar kryetarokracinë, ndërsa unë kam qenë njëri prej atyre që e kanë votuar atë gabim historik, edhe pse nisur nga një qëllim i mire”, ka shkruar kreu i BD në një reagim në rrjetet sociale.

REAGIMI I PLOTE I ASTRIT PATOZIT

JAM DAKORD PLOTËSISHT ME ILIR METËN

Jam dakord plotësisht me Presidentin e Republikës, kur thotë se gjendja politike në Shqipëri u rëndua pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.
Por do ta mbështesja më shumë në rast se do të shikoja që ky këndvështrim do të shndërrohej në qëndrim zyrtar të LSI-së, si njëra nga partitë kryesore të opozitës.

Do të ishte një kontribut i mirëpritur për kauzën e ndryshimit të sistemit, i cili, sipas meje, është përgjegjësi kryesor për krizën e thellë politike në Shqipëri.

Por mbi të gjitha, mendoj se do t’ia vështirësonte shumë misionin Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për ta mbajtur me thonj statuskuonë e listave të mbyllura, si thelbi i një pushteti okult dhe të pamerituar që është keqpërdorur për më shumë se 10 vjet.
Koha i ka dhënë të drejtë Ilir Metës, i cili asokohe ishte në grevë urie për ta kundërshtuar kryetarokracinë, ndërsa unë kam qenë njëri prej atyre që e kanë votuar atë gabim historik, edhe pse nisur nga një qëllim i mirë.

Por politika është dinamike dhe askush nuk mund të mburret për një meritë të dikurshme dhe as të mbajë në shpinë një faj gjithë jetën.

Jo thjesht ngaqë “koka e falur nuk pritet”, por edhe sepse ka gjithmonë kohë dhe mundësi për t’i ndrequr problemet e shkaktuara nga vendimmarrje të gabuara.
Ka vetëm një kusht për të qenë i besueshëm: që, si ndjesa, ashtu edhe distancimi, duhet të bëhen pa hipokrizi.