Plani buxhetor/ Nga lektorët tek rektori, ja sa do të paguhen pedagogët në Universitetin e Tiranës

Universiteti i Tiranës ka bërë publik planin buxhetor për dy vitet e ardhshme.

Edhe pse i vetmi institucion arsimor i lartë që gëzon shumicën në bordin e administrimit, duke menaxhuar vetë të ardhurat vjetore, UT varet thuajse tërësisht nga shteti, me fondet e të cilit mbulon shumicën e shpenzimeve, përveç atyre operative.

Kjo faktohet në listëpagesat për personelin akademik të parashikuara për këtë vit, ku 3-çereku i fondit total mbulohet nga buxheti i qeverisë. Bashkë me treguesit e tjerë të projektbuxhetit afatmesëm, ajo i është nisur Senatit akademik për miratim këtë të enjte. Edhe pse nuk shihet si problematikë, niveli i të ardhurave dy vitet e fundit rezulton në rënie.

Nga 1.101.354 mijë lekë të planifikuara vjet, janë mbledhur 98% e shumës, e cila këtë vit synohet edhe më e ulët, 1.092.447 mijë. Në kushtet e rrudhjes së lekëve në hyrje (shumica nga tarifat vjetore), universitetit s’i mbetet tjetër veçse të kërkojë mjete alternative për të gjeneruar fonde, jo vetëm për mbulimin e shpenzimeve operative, por edhe kërkimin shkencor.

PAGAT PËR PERSONELIN

Një zë të mirë në planin buxhetor të të ardhurave dhe shpenzimeve të universitetit e zënë pagat e punonjësve, përfshirë këtu personelin akademik dhe joakademik. Midis treguesve të shumtë financiarë, gazeta ka veçuar të ardhurat që marrin pedagogët dhe titullarët sipas titujve që mbajnë. Paga e grupit dhe vitet e punës rrisin koston në buxhet. Kështu, një lektor i thjeshtë i kushton universitetit afro 900 mijë lekë në vit, ndërsa 145 të tillë, 132 milionë e 186 mijë lekë.

Shumica e personelit janë lektorë të parë, plot 361, ndërsa docentë 32, pedagogë me titullin profesor 60 dhe 129 asistentë profesorë. Nga 1326 punonjës, shumica prej tyre, 837, janë personel akademik, puna e të cilëve vlerësohet monetarisht sipas treguesve të tabelës bashkëngjitur shkrimit.

Rritja e fundit e pagave për pedagogët, në masën që varion nga 10-37%, është bërë me vendim qeverie në prillin e 2017-ës. Përveç pagave është rritur edhe masa e orëve mbi normë.