Ambasadorja franceze: Franca është pro integrimit të Shqipërisë

Ambasadorja franceze, Christine Vasac, gjatë një vizite në Korçë u pyet mbi metodologjinë e zgjerimit që po përdor Franca. Vasac tha se Franca në parim nuk është kundër integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë.

“Përsëris mendimin e presidentit francez Emanuel Makron. Ideja është që duhet ndërmarrë iniciativë që të gjendet një mënyrë e re e funksionimit të BE. Dera është e hapur. Mirëpo duhet që së pari reformat të kenë rezultate konkrete. Nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve, por edhe zbatimi i tyre. Kjo kërkon vullnetin e të gjitha forcave politike në Shqipëri”, deklaroi Vasac.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christine Vasac u pyet edhe për takimin e sotëm për Mini Shengenin ballkanik. Ajo tha se forcimi i marrëdhënieve fqinjësore mes shteteve të Ballkanit i shërben paqes e zhvillimit.