Deklarata e fortë e Berishës për Mini Shengenin ballkanik

 

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se projekti i nisur nga Edi Rama dhe Aleksander Vuçiç ka për qëllim të izolojë edhe më shumë Kosovën, ta defaktorizojë ekonomikisht dhe ta dobësojë në marrëveshjen finale me Serbinë.

“Udhëheqja e Kosovës përcakton vet qëndrimin e saj por në bindjen time dhe informacionin që una kam Mini Shengeni ballkanik është një nismë serbomadhe kryekëput kundër Kosovës dhe synon rrethimin e saj nga Serbia por tashmë njëlloj si në vitin 1946 edhe nga Shqipëria”, ka thënë Berisha.

Berisha thotë se gjithë kjo nismë synon ta bëjë Kosovën satelit të Serbisë.

“Kjo nismë që mori jetë me paktin Vuçiç-Rama në Nish është në thelb njësoj me paktin Tito-Enver të bashkimit doganor dhe defakto shndërrimit të Shqipërisë në republikë të shtatë të Jugosllavisë, – ka shtuar Berisha.

Ish kryeministri e lidh Mini Shengenin me dështimin e idesë për ndryshimin e kufijve të Kosovës në favor të Serbisë që e kishin nisur Rama e Vuçiç.

“Ky është një projekt i rrethimit të Kosovës me një kuadër ligjor rajonal nënshtrues dhe paralizimit të potencialeve të saj gjatë dialogut për marrëveshjen me Serbinë”, – ka deklaruar Berisha.

Ai i ka quajtur gangsterë Ramën e Vuçiçin duke thënë se po krijojnë hapësirë edhe për ndikimin rus në Ballkan. Berisha i ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve të kundërshtojnë këtë ide.