“Isha me të dashurën” si e nxori zbuluar Kejvina Kthellën dëshmia e Redjan Rrajës

Detaje të tjera të rëndësishme vijojnë të dalin në lidhje me atentatin mafioz të 1 nëntorit, ku mbeti i plagosur prokurori Arian Ndoja, ‘i forti’ i Shijakut Landi Muharremi (Rrumi) si dhe humbi jetën shoferi i Ndojës Andi Maloku.

I arrestuari i vetëm në lidhje me ngjarjen është Redjan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili dyshohet se është një nga personat që ka shtënë mbi automjetin mbi të cilin udhëtonte prokurori së bashku me dy miqtë e tij.

Gjithashtu kujtojmë se mbrëmjen e djeshme është shoqëruar në polici dhe modelja e njohur Kejvina Kthella, për shkak se ka patur mesazhe të shumta midis saj dhe Redjan Rrajës përpara dhe pas atentatit.

Ajo është mbajtur mbi 10 orë në polici ku tashmë i është sekuestruar dhe celulari për të marrë tabulatet dhe për të verifikuar se çfarë ka komunikuar ajo me Rrajën.

Nga ana tjetër edhe vetë Redjan Rraja ka një alibi të tijën në lidhje me ngjarjen ku shprehet se nuk ka lidhje me atentatin dhe nuk ka gisht pasi atë natë ka qenë së bashku me të dashurën e tij.

Pra marrëdhënia e tyre nuk ngelet në kufinjtë e një miqësie por përkundrazi ata janë në një lidhje dashurie.

“Isha me të dashurën time atë ditë. Unë nuk kam lidhje me atentatin.”-mësohet se ka deklaruar Redian Rraja në polici.

Pas kësaj dëshmie Kejvina Kthella është marrë në pyetje nga grupi hetimor, ndërkohë që ende nuk është zbardhur dëshmia e saj në polici.

Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Redian Rrajën, ndërkohë që pasi Andi Maloku ndërroi jetë, tashmë mbi të rëndon dhe akuza e vrasjes.

Ndërkohë mbeten në fuqi akuzat për  “Vrasja e funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë, që lidhet me prokurorin Arjan Ndoja dhe  dhe “Armëmbajtja pa leje”.