Meta hap sherr me qeverinë. Kthen ligjin e shumëdebatuar

Tensionohet më tej marrëdhënia mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për shqyrtim një tjetër ligj të qeverisë. Bëhet fjalë për ligjin “Për Korporatën e Investimeve”, i cili sipas Kreut të Shtetit cenon parimet kushtetuese.

Në dekretin që rrëzon ligjin, presidenti shpjegon arsyet e këtij vendimi. “Projektligji “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në datë 26.03.2019 dhe nuk ka qenë pjesë e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për vitin 2019, si dhe nuk synon përafrimin me ndonjë acquis të Bashkimit Evropian”, ndërsa shton se ky pr.ligj nuk është kaluar për shqyrtim nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Një tjetër arsye e kthimit të këtij ligji, sipas Kreut të Shtetit është fakti se ai bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese.

“Në përfundim të shqyrtimit u konstatua se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese; aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, cenon parimin e sigurisë juridike dhe të drejtën themelore të pronës, si dhe fryma e këtij ligji është në kundërshtim me sistemin ligjor aktual mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare”, arsyeton Ilir Meta.