Pasi dhunuan inspektorët e IKMT, policia nis raprezaljen ndaj banorëve të “Unazës se Re”

Pas incidentit që ndodhi ditën e djeshme në zonën e “Unazës së Re në Tiranë” ku disa punonjës të IKMT dhe të policisë ranë pre e dhunës së banorëve që protestojnë për mosprishjen e banesave të tyre, policia ka proceduar 9 persona.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi dje në rrugën “Teodor Keko” rreth orës 11:00, ku një grup personash kanë goditur me sende të forta kësta punonjës të cilët po lajmëronin bizneset që do të preken nga projekti i rrugës.

Si pasojë e këtij konflikti mbetën të plagosur 4 punonjës të IKMT dhe një polic.

Gjithashtu, gjatë sulmit me gurë e sende të forta ndaj punonjësve të IKMT-së dhe punonjësve të Policisë, është dëmtuar edhe një automjet i Policisë.

Në lidhje me ngjarjen, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve të para hetimore, bazuar edhe në pamjet filmike, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh.S., 50 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e 7 shtetasve: J.M., S.H., F.D., V.D., L.K., Sh.N. dhe G.S., të cilët pas sulmit mbi punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi E.D., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasve Sh.S., J.M., S.H., F.D., V.D., L.K. dhe Sh.N., si dhe në ngarkim të shtetasit G.S., për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.