Përcaktohet buxheti i vitit 2020 për rrugët, asnjë investim i ri

 

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në buxhetin e vitit 2020, investimet me fondet e brendshme në transportin rrugor janë parashikuar 9.8 miliardë lekë ose rreth 80 milionë euro.

Por nga këto investime, 5.1 miliardë lekë ose 52 për qind do të vijnë nga konçesionarët privatë, ndërsa vetëm 48 për qind janë investime të prokuruara nga vetë qeveria.

Sipas tabelave të buxhetit, gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdojnë investimet në 4 kontrata konçesionare si rruga e Arbrit, ajo Milot-Morinë, Orikum-Dukat dhe Milot Balldrenë. Në total investimet konÇesionare në këto projekte për vitin tjetër parashikohen 5.1 miliardë lekë, por pjesa dërrmuese e tyre gati 75 për qind do të investohen vetëm nga konçesionari që po ndërton rrugën e Arbrit.

Qeveria ka programuar të vazhdojë ndërtimin e 10 projekteve rrugore me fonde të brendshme gjatë vitit të ardhshëm, mes të cilave përfshihen rruga Kardhiq-Delvinë, ajo Fushë Krujë-Milot-Morinë dhe Unaza e Tiranës. Në total për këto projekte buxheti i vitit 2020 do të financojë 4.7 miliardë lekë, ku pjesën më të madhe e marrin rruga Kardhiq-Delvinë dhe Unaza e Tiranës.

Veç investimeve me fonde të brendshme buxheti parashikon dhe 6.6 miliardë lekë të tjera investime nga donatorët, të cilat do të financojnë baj pasin e Fierit, atë të Vlorës dhe segmentin Qukës-Qafë Plloçë.