Qeveria ndërron mendje, vendos të shpërblejë pensionistët me një shumë qesharake për fundvit

Ministrja e Financave Anila Denaj, deklaroi disa ditë më parë se për pensionistët nuk kishte asnjë parashikim në buxhet, por qeveria pritet që të japë nga 3 mijë lekë për secilin prej tyre.

Vendimi më i fundit është marrë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila po ashtu ka përgatitur edhe një draft për rishikimin për herë të dytë të buxhetit të këtij viti.

Fondi që parashikohet të jepet nga buxheti për këtë qëllim arrin në masën e 2.2 miliard lekëve, ose 22 milion dollarëve, shkruan “Klan”.

Nga ky shpërblim do të përfitojnë gjithsej 731 mijë persona, ku 635 mijë janë pensionistë.

Një vit më parë shpërblimi për këto kategori ishte në masën e 5 mijë lekëve të rinj, por ecuria e dobët e mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit ka përcaktuar një nivel më të ulët të dhënies së këtij bonusi këtë fundvit.