Rama bën ironi me Bashkimin Europian

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar Forumin e Davosit për Dialogun Strategjik mbi Ballkanin Perëndimor për t”i dhënë sërish përgjigje Bashkimit Europian, pas përgjigjes negative për çeljen e negociatave. Kreu i qeverisë shqiptare ka përdorur ironinë për të dhënë mesazhin se BE ka nevojë për Ballkanin Perendimor.

“Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, apo Evropën Juglindore, po aq sa Evropa Juglindore ka nevojë për Bashkimin Evropian. Ata që nuk e kuptojnë këtë nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë, apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes”, tha kryeministri.

Ironia e Ramës vijoi edhe më tej kur tha se vendet tona ende nuk janë gati të antarësohen në BE. “Vendet tona nuk janë gati të antarësohen, prandaj nëse loja e “meritokracisë” shndërrohet në  “lojën e fajësimit”, sa herë që mungon kapaciteti për të nxjerrë një vendim konsensual, kjo gjë nuk i sjell asnjë të mirë BE-së dhe procesit.

Megjithatë ne e dimë edhe që rajoni ka shumë potencial për të shfrytëzuar. Ne do të bëjmë më të mirën tonë, duke rritur bashkëpunimin rajonal dhe duke bërë më të mirën tonë për të shmangur pasojat negative, që sjell ky vendim i verbër, apo mosvendim i tetorit në opinionin publik apo në të ardhmen.”, deklaroi Rama.