Vodhën kostumet popullore, policia kap në flagrancë çiftin/ Ja se çfarë iu sekuestruan

Policia e Shtetit ka arrestuar ditën e sotme dy persona të cilët akuzohen se kanë vjedhur dhe mashtruar duke vjedhur 23 kostume kombëtare në një pikë shitjeje në Kurbin.

Me anë të një operacioni të koduar me emrin Tapiza, është i mundur lokalizimi i çiftit, pas denoncimit të pronarëve të kostumeve.

S. B., 54 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Mashtrim” dhe M. D., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, u arrestuan në flagrancë, ndërkohë që iu sekuestruan 23 kostume të vjedhura, 5 palë opinga popullore dhe 2 celularë.

Njoftimi i plotë:

Kurbin-Finalizohet operacioni policor i koduar “Tapiza”.

Falë reagimit të shpejtë të Policisë lokalizohen, kapen dhe arrestohen 2 shtetas të cilët me anë të mashtrimit vodhën në një pikë shitje në Kurbin, disa kostume kombëtare. Specialistët për hetimin dhe parandalimin e krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin, nisur nga kallzimi që shtetasit M. H., dhe K. B., bënë pranë Komisariatit të Policisë Kurbin, se dy shtetas me anë të mashtrimit iu kishin vjedhur në pikën e tyre të shitjes në Kurbin disa kostume kombëtare, organizuan operacionin policor të koduar “Tapiza”.

Si rezultat i zhvillimit të operacionit, falë dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative se dy autorët e vjedhjes po lëviznin me mjet në drejtim të Tiranës, shërbimet e Policisë Kurbin kanë organizuar punën dhe janë vënë në ndjekje të tyre, ku në vendin e quajtur “Ura e Tapizës” është konstatuar dhe bllokuar mjeti me të cilën dy autorët po lëviznin.

Në vijim është ushtruar kontroll në mjetin e bllokuar, ku gjatë kontrollit u gjetë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale: 23 kostume kombëtare të llojeve të ndryshme, 5 palë opinga popullore (të vjedhura në pikën e shitjes në Kurbin) dhe dy aparate celular.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arretimi në flagrancë për veprën penale “Vjedhje”, të dy autorëve, shtetasve:

– S. B., 54 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Mashtrim”);
– M. D., 51 vjeçe, banuese në Tiranë.

Materialet procedurale u referuan për veprime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.