“Zoti t’i jep arrat, mirëpo ai nuk i thyen ato për ty”/ Thëniet më të bukura të Franc Kafkës

Nënshtetas austro-hungarez, me prejardhje hebraike, gjysmë i pasur; po kaq e ndërlikuar ishte edhe krijimtaria e tij.

Tregime të shkurtra, romane që kurrë nuk i përfundoi; 90 për qind të krijimtarisë së vet e dogji; pjesën tjetër e la me testament që të digjej.

Kafka tërhoqi vëmendje pas vdekjes më shumë sesa kur ishte gjallë.

Është cilësuar si një nga autorët më me ndikim apo Dante i shekullit të njëzetë. Gabriel Garcia Marquez thoshte se me romanin Metamorfoza, Kafka tregoi se ishte e mundur të shkruhej ndryshe.

1 – Një libër do të duhej të ishte një sëpatë që e thyen detin e ngrirë brenda nesh.

2 – Në luftën midis vetes dhe botës, përkrahe botën.

3 – Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

4 – Duke besuar në mënyrë pasionante në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Ajo që ende nuk ekziston është thjesht diçka që nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm”.

5 – Zoti t’i jep arrat, mirëpo ai nuk i thyen ato për ty.

6 –  Kam frikë nga nata. Kam frikë nga jo-nata.

7 – Je i lirë, prandaj dhe je i humbur.

8- Librat që na duhen janë ato që na vijnë si fatkeqësi, që na bëjnë të vuajmë si vdekja e një personi që e duam më shumë se veten, që na bëjnë të ndihemi sikur jemi në prag të vetëvrasjes, ose të humbur në një pyll ku nuk frymon asnjë njeri.

9 – Nuk i lexoj reklamat, sepse po t’i lexoja do të shpenzoja gjithë kohën time duke dëshiruar të zotëroj gjëra.

10- Mos e ndrysho, mos e ujit, mos u mundo ta bësh logjik. Mos e ndrysho shpirtin tënd sipas kërkesave të të tjerëve. Përkundrazi, ndiqi fiksimet e tua më të forta, në mënyrë të pamëshirshme.

11-Ka një pafundësi shpresash në këtë univers…por ato nuk janë për ne.

12- Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.

13- Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

14- Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

15- Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

16- Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

17- Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

18- Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

19- E ligë është çdo gjë dëfryese.

20 – Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

21- Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

22- Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

23- Në njëfarë kuptimi e Mira është e parehatshme.

24- Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

25- Nuk është e nevojshme të largohesh nga shtëpia jote. Rri në tryezë dhe dëgjo. Madje mos dëgjo, vetëm prit. Madje as mos prit, vetëm rri qetësisht dhe vetmitar. Bota do të paraqitet tek ti pa masë, nuk ka rrugë tjetër, vetëm do të bjerë në gjunjë para teje.

26 – Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

27- Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

28- Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

29- Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

30 -Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.

Një tjetër dokument i cili ka hyrë në histori është letra e Kafkës drejtuar të atit abuzues e narcisistik… (një trashëgimi kulturore për njerëzimin, një letër e cila godet pa mëshirë atërimin tiranik, një formë prindërimi e cila shkatërron jetët e fëmijëve)

I dashur baba! Kohët e fundit rasti e solli të më pyesësh se përse kam frikë prej teje. Si zakonisht, s’kam ditur të përgjigjem, dhe kjo, pasi nga njëra anë, më kall frikën dhe nga ana tjetër, sepse, për ta gjetur arsyen e kësaj ndjesie do të më duhej të hyja ne te thella, shumë më tepër se do të ma lejonte një letërkëmbim i thjeshtë.

Duhet ta dish se, kur po të shkruaj, ndjehem i kapluar nga frika që më ke kallur dhe nga pasojat e saj! Nga ana tjetër, diapazoni i gjerë i temës qëndron shumë më lart se kujtesa dhe inteligjenca ime…

Duke përmbledhur gjykimin tënd për mua, del që ti më akuzon për sjellje të këqija apo për veprime të padenja (ndoshta, me përjashtim të planit tim të fundit për t’u martuar), më akuzon për ftohtësi, indiferencë, mosmirënjohje dhe m’i përplas në fytyrë, sikur vetëm unë qenkam fajtori, sikur me një shkop magjik do të mundja të ndreqja gjithçka, ndërsa ti nuk paske kurrfarë faji, përveçse je sjellë me mua më mirë se ç’duhej…

Padyshim, nuk them se u bëra i tillë vetëm për shkakun tënd, do të ishte teprim i tejskajshëm. Ka shumë gjasa që edhe po të isha rritur plotësisht i çliruar nga ndikimi yt, për ty unë kurrë nuk do të isha në lartësinë e duhur. Jam pothuajse i sigurt se, sidoqoftë sërish do të isha shëndetlig, i lëkundur, i trazuar e plot ankthe…

Do të isha i lumtur të të kisha shok, shef, xhaxha apo gjysh madje (megjithëse dyshoj për këtë) edhe vjehërr. Ndërsa si baba ke qenë tepër i ashpër me mua… U rrita fëmijë frikacak, por edhe kokëfortë siç janë fëmijët.

Padyshim, mamaja m’i plotësonte tekat, por nuk besoj se kam qenë i bezdisur, s’mund ta besoj që një fjalë e ngrohtë, një vështrim i përdëllyer, duke më marrë qetësisht për dorë, të mos e platitnin qënien time, dhe të arrije çka dëshiroje.

Se ti, në thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjen që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë.

Ti, di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë. Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh më Feliksin.

Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqëndruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone. Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi.

Ndoshta e kujton edhe ti. Një natë qarravitësha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës.

S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lanë mbi mua. Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit.

Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë, më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kurrfarë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero më xhufkë.

Kundërvënia jote godiste si mendimet ashtu edhe personat. Mjaft që unë të shprehja një farë interesi për dikë, që nuk ndodhte shpesh, falë karakterit tim, dhe ti shpejtoje t’ia bëje gropën me fyerje, shpifje, sharje, pa treguar pikën e respektit për ndjenjat e mia dhe pa marrë parasysh gjykimin tim.

Pamundësia per të komunikuar qetësisht më ty çoi në një rrjedhojë logjike: u ç’mësova të flas. Ti shumë herë ma ke ngecur fjalën në grykë.

Kanosja e përhershme: “Nuk dua kundërshtime!” dhe dora e ngritur lart, urdhëruese nuk më janë shqitur nga mendja edhe sot e kësaj dite… dhe meqë ti ke qenë edukatori im i vetëm, pasojat janë pasqyruar në të gjitha fushat e jetës sime.

Është një keqkuptim i çuditshëm fakti që, sipas teje, unë s’ditkam të jem i bindur. “Kundërshtimi i përhershëm” kurrë nuk ka qenë parimi i ekzistencës sime, edhe pse ty të është ngulitur kjo ide dhe vazhdimisht më qorton.

Përkundrazi, nëse do të tregohesha më rebel, sigurisht, do të kishe mbetur më i kënaqur prej meje. (Super Shëndeti)