Basha mesazh Ramës: 150 mln dollarë të mos u jepen oligarkëve, por të ndërtohen objektet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një tjetër mesazh në distancë kryeministrit Edi Rama për mënyrën sesi duhet të menaxhohet situata post-tërmet. Pasi propozoi dje një paketë me disa pika, Basha edhe sot ka këmbëngulur tek angazhimi i 500 inxhinierëve.

Ai ka kërkuar nga qeveria të shfrytëzojë gatishmërinë e inxhinierëve për t’iu ardhur në ndihmë banorëve që kanë mbetur të pastrehë për shkak të tërmetit. Sipas tij, nevoja për të ndërhyrë është e menjëhershme.

“Është e domosdoshme të angazhohen sa më shumë inxhinierë e specialistë. 500 inxhinierë janë të gatshëm të kontribuojne vullnetarisht, mjafton që qeveria ti angazhojë. Paratë që shkojnë tek 10 oligarkë duhet të shkojnë tek mijëra qytetarë që kanë mbetur në mes të katër rrugëve, pa strehë dhe pa ushqim.

Me 150 milion dollarë që marrin 10 oligarkë mund të rindërtohet pjesa dërrmuese e objekteve të banimit të shkatërruar nga tërmeti. Duhet ndërhyrje e menjëhershme që të lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjen e mijëra familjeve”, ka deklaruar Lulzim Basha në “Facebook” pas një vizite të kryer në Manëz.

Dje kryedemokrati paraqiti 3 pikat emergjente që sipas tij duhet të kihen parasysh për të zgjidhur situatën pas tërmetit. Ai kërkoi 300 inxhinierë në terren, një faturë financiare sa më të shpejtë  dhe që paratë për rikuperimin e dëmeve të merren nga oligarkët. Por kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj pasdite duke i thënë se nëse ka propozime, duhet të ulet në tavolinë me të.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Gjendja po rëndohet për shkak të motit. URGJENTE marrja e masave për strehim dhe alokimi i fondeve për rindërtim. 5 pallate me nga 25 familje në Manëz janë të pabanueshme. Banorët po nxjerrin orenditë për tu zhvendosur tek të afërmit në pamundësi të një strehe.

Të tjerë që janë strehuar në çadra janë në kushte shumë të vështira edhe për shkak të motit me shi dhe të ftohtit. Ata thonë që u kanë ardhur në ndihmë vetëm shoqatat ndersa denoncojnë abuzime në mënyrën e trajtimit të qytetarëve. Çdo ditë që kalon, bëhet më e vështirë për këta banorë që me fëmijë të vegjël prej ditësh jetojnë në çadra.

Të tjerë jetojnë në makina dhe ankohen se askush nuk ka ardhur të vlerësojë gjendjen e banesave të tyre. Është e domosdoshme të angazhohen sa më shumë inxhinierë e specialistë. 500 inxhinierë janë të gatshëm të kontribuojne vullnetarisht, mjafton që qeveria ti angazhojë.

Paratë që shkojnë tek 10 oligarkë duhet të shkojnë tek mijëra qytetarë që kanë mbetur në mes të katër rrugëve, pa strehë dhe pa ushqim. Me 150 milion dollarë që marrin 10 oligarkë mund të rindërtohet pjesa dërrmuese e objekteve të banimit të shkatërruar nga tërmeti. Duhet ndërhyrje e menjëhershme që të lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjen e mijëra familjeve.