Humbi nënën, babanë dhe vëllanë nga tërmeti, Dorian Gregu rrëfen mes lotëve: Ika në Francë për të ndihmuar familjen

Mëngjesin e së martës (26 Nëntorit), Dorjan Greku kishte kaq shumë thirrje të humbura sa e ka të vështirë të kujtojë se cila ishte telefonata e parë, apo e fundit që e njoftoi për shembjen e pallatit ku jetonin familjarët e tij. Lajmi që e tronditi ishte se e gjithë familja ndodhej nën rrënojat e pallatit ku jetonin, në Thumanë.

Dorjani kishte më pak se dy muaj që jetonte në Francë, ku kishte shkuar për një jetë më të mirë dhe kishte kërkuar azil. Pikërisht nga Franca mori vesh se një tërmet i fuqishëm që do t’i shuante atij të gjithë familjen, babain Pëllumb Greku, nënën Çelike Greku dhe vëllain 31-vjeçar Sajmir Greku.

I tronditur dhe me shpresën se nuk kishte ndodhur ajo që i druhej, ai braktisi Francën dhe u nis drejt Shqipërisë. Kur shpresat për prindërit u shuan, drita e vetme në fund të tunelit u duk sikur ishte jeta e vëllait të tij, i cili u nxor i gjallë nga rrënojat. Por Sajmir Greku ndërroi jetë pak orë më vonë në spital, duke bërë që Dorjani të përjetonte një tragjedi të trefishtë.
Në një intervistë për tvklan.al, mes lotëve Dorjan Greku rrëfen momentin kur mori vesh lajmin që do t’i ndryshonte jetën, kthimin drejt Shqipërisë, por jo vetëm. Ai tregon edhe për dëmtimet që kishte pësuar shtëpia e tyre nga tërmetet e mëparshme. Dorjani thotë se tërmeti i Gushtit të 2018-s kishte shkaktuar dëmtime të shumta në pallatin ku ata jetonin. Ai tregon se ekspertët që kishin shkuar për të parë banesën e tyre kishin dalë në konkluzionin se banesa kishte vetëm dëmtime të suvasë dhe ishte e banueshme.

Keni humbur 3 pjesëtarët më të shtrenjtë të familjes, babain, nënën dhe vëllain. Keni arritur të shpëtoni vetë, ka arritur të shpëtojë nusja e vëllait tuaj bashkë me mbesën. Çfarë mund të na rrëfeni? Ku ishit ju në momentin e tërmetit dhe si e morët vesh që të afërmit tuaj ishin nën rrënoja?

Kisha udhëtuar për në Francë për të kërkuar një jetë sa më të mirë, kërkoja azil atje dhe normalisht kishim komunikim të vazhdueshëm, të përnatshëm. Më datë 26 kemi qenë në gjumë. U zgjuam në mëngjes, nusja tha Dori çohu se çfarë ka ndodhur në Shqipëri, ka rënë një tërmet shumë i madh. Mu duk thjeshtë një ëndërr ai zgjimi. U çova me qetësinë time si përherë. Pamë ato thirrjet e humbura të pafundme edhe nuk mund të them kush ishte personi i parë që më njoftoi apo ta mbaj mend, por thjeshtë familjet tona, shoqëria, miqësia. Na njoftuan se pallati ishte shembur dhe se familja jonë ishte nën rrënoja. Nuk kishim ende informacion nëse ishin gjallë apo vdekur. Thoja do Zoti i shpëton, ata e të gjithë ata që po përjetojnë këto momente.

Çfarë bëtë më pas? U nisët drejt Shqipërisë, e latë azilin?

Absolutisht. Po prisja minutë për minutë për të ardhur në Shqipëri. Mendoja se do të arrija gjithçka me forcat e mia, por është diçka natyrore, punë e Zotit. Falë atij jemi edhe ne të tjerët këtu. Nuk e përshkruaj dot…

Po kur morët vesh lajmin që Sajmiri u nxor i gjallë, kishit shpresë?

Absolutisht, mendova se… jo mendova, por u sigurova. Nuk po e përmendja më emrin e tij, thjeshtë po kërkoja për dy të tjerët, ose po dëgjoja edhe për të gjithë njerëzit që po mundoheshin që t’i nxirrnin nga rrënoja. Kurse unë mendoja që do ia hedhë Sajmiri, sepse ishte njeri shumë i fortë, kisha shumë shpresa tek ai. Por desh Zoti e mori me vete.

Cila ka qenë biseda e fundit që keni bërë me babain, me nënën, me Sajmirin?

Po atë natë ka qenë. Folëm si përnatë. Më tha mami që kam përcjellë nusen e vëllait bashkë me mbesën, i kam çuar të rrinë disa ditë tek njerëzit e vet.

Po tërmetin e kishin ndjerë?

Jo ishte diku nga ora 7 e gjysmë, 8.

Çfarë mund të na rrëfesh për Sajmirin?

Nuk e di, doja ta kisha këtu pranë vetes, do ta kisha një mbështetje shumë të fuqishme… nuk kam fjalë, nuk di të shprehem, jam i pafuqishëm.

Ju praktikisht keni lënë azilin, keni ardhur në Shqipëri, keni humbur 3 pjesëtarë të familje, nuk keni as banesë ku të rrini. Çfarë apeli keni sot dhe ku po rrini, ku po strehoheni?

Pas ceremonisë mortore ishim të gjithë sëbashku në Thumanë. Mendova po jetoj në Tiranë tek baxhanaku, te motra e nuses time. Po rrimë aty derisa të kontaktoj me dikë apo të lidhem me shtetin për të na strehuar, sado pak, sepse jemi shumë të tromaksur.

Ju kur keni ikur për azil?

As dy muaj nuk i kisha bërë të plota.

Po tërmetet e mëparshme keni qenë? A ka pasur dëmtime pallati juaj?

Tërmeti i parë, nuk e di në mos gaboj ka qenë në Gusht (2018). Normalisht unë kam qenë në punë gjatë ditës. Vajza ime e vogël, Klejsa dhe Ilda kanë qenë brenda në shtëpi, edhe mami. Kur ra i pari i fuqishmi normalisht kanë dalë jashtë. Janë trembur dhe shtëpia ishte copëtuar nga 400 anët e murit.

Ishte e dëmtuar?

Absolutisht, kishte dëmtime pamasë. Ky i Shtatorit, kam qenë vetë brenda. Te i pari e kam përjetuar vetë, nuk e di çfarë të të them.

Erdhën ekspertët, çfarë thanë?

Nuk e di a kanë qenë ekspertë apo çfarë, nuk e imagjinoj dot, nuk i njihnim, ose nuk u prezantuan kurrë. Erdhën panë, thanë që është i banueshëm.

Thanë që është i banueshëm, pavarësisht se apartamenti kishte dëmtime të brendshme?

Janë thjeshtë suvatime të rëna, thanë që është i banueshëm./ tvklan.al