“Ishte mirë, por humbi forcat kur vajza u nxorr e pajetë nga rrënojat”, vëllai i Diena Karanxhës tregon fjalët e fundit të saj

Një ndërhyrje më e shpejtë mund tu kishte shpëtuar jetën nënës së re dhe vajzës së mitur. Diena, kishte komunikuar me telefon me të afërmit. Vogëlushja Esiela u nxor nga rrënojat vetëm pas 12 orësh. Ishte tepër vonë. Ajo kishte humbur jetën.

Zjarrfikësit tanë janë shumë profesionistë, dhe tuajt u lanë hapësirë tanëve duke u thënë vazhdoni juve sepse e dini mirë si veprohet”, tregon Tonia Cartollano

Dy orë pas vajzës, ajo u nxorr e gjallë nga rrënojat.

Një orë para se ta nxirrnin, ishte koshiente, por momentet pasi mbesën e nxorën pa frymë nga rrënojat, Diena më thonin kishte ankime, kishte humbur forcat, se më përpara ishte e fortë, kapedane, rezistente”, tregon Marildo Meçja, vëllai i Dienës.

Diena, kishte kaluar një fatkeqësi të madhe që e kishte dërrmuar. Ajo, kishte humbur bashkëshortin 4 vite më parë. Piktori Dorian Karanxha, u nda nga jeta në vitin 2015, në moshën 37-vjeçare pas një ataku kardiak.

“Mendoja gjithmonë që Zoti më kishte dhënë shumë lumturi, duke pasur një shok e një bashkëshort si Dori im, por jeta qenka një sprovë e vërtetë. Më mungon shumë bebi im”

Mes rrënojave, shfaqen edhe vepra arti të Dorit, për të cilat dashuria e jetës së tij Diena, aq shumë ishte kujdesur. Madje, ajo kishte hapur një ekspozitë pas vdekjes së tij. Nëntë vite më parë, çifti i kishte kushtuar një film me metrazh të shkurtër dashurisë së tyre.

Piktura ishte pasioni i Dorit, vjen nga një familje me tradita. Vdiq në moshën 37-38 vjeç, para syve Dienës, ishte dashuria e Dienës, ishin perfekt bashkë, edhe ditë të vështira pas vdekjes së Dorit, periudhën e fundit kishte filluar ta merrte veten”, tregon Marildo Meçja, vëllai i Dienës.

Vetëm një javë para ngjarjes, Marildo kishte qenë në atdhe, te familjarët e tij. Ai kujton se kishte biseduar me nënën për disa çarje që ishin shkaktuar nga tërmeti i shtatorit dhe rrezikun që mund të vinte.

Ka pasur ca krisje, krisje në mur, ndoshta kanë verifikuar dhe kolonat por skishte shenja dëmtimesh, por janë vështrime jo profesionale”, rrëfen Marildo Meçja, vëllai i Dienës.

Deri në port, atë e kishte përcjellë për herë të fundit motra e ndjerë.

“Edhe ato kanë qenë momentet e fundit, mami me ritin si e krishtere, para makinës që më shoqëroi Diena me Esielën në portin e Rinasit, më hodhi ujin e bekuar para këmbëve, harroi ti hidhte vetes së vet ujin e bekuar. Me Esielën, Dienën folëm shumë, kishim kohë që nuk kishim folur, kur bëra check in po bëj gate më vonë, doja të fitoja minuta sekonda për të kaluar bashkë”, tregon Marildo Meçja, vëllai i Dienës.

E gjithë kjo tragjedi e madhe, sot nuk ka shkaktarë vetëm fatkeqësinë natyrore. Përgjegjës ka njerëz konkretë që kanë abuzuar me cilësinë e ndërtimit. Dhe për këtë, Marildo ka një mesazh.

Kam bindje që shteti do të bëjë atë që duhet për drejtësi e të vendosen gjërat në vijë, se ndryshe sistemi shqiptar nuk ka më kuptim”, thotë Marildo Meçja, vëllai i Dienës./Top Channel