Paketa anti-shpifje/ Basha akuza të forta qeverisë: Asgjë nuk është rastësi, ja pse i duhet Ramës ligji i ri për median

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot i pranishëm në forumin e Akademisë Politike të FRPD, ku ka komentuar edhe paketën anti-shpifje për mediat.

Basha e ka cilësuar këtë paketë si një paketë e anti-fjalës së lirë.

Kryedemokrati u shpreh se me këtë paketë ligjore, Rama kërkon të mbulojë dështimet e tij si kryeministër.

Kjo qeveri dhe ky kryeministër këtë të mërkurë do të paraqesë në Parlament dy projekt ligje që janë asgjë më pak se shpallje lufte ndaj fjalës së lirë. Asgjë nuk është e rastësishme, asgjë nuk po ndodh në mënyrë të befasishme. Për vite me radhë Shqipëria ka rënë poshtë e më poshtë në indeksin e lirisë së medias. Kjo qeveri do të fshehë dhe maskojë dështimet dhe abuzimet e saj përmes pengimit të lirisë së fjalës dhe censurës së medias. Ja pse i duhet paketë e ashtuquajtur  anti-shpifje, por në fakt është anti fjalë e lirë. I duhet për të penguar daljen ne shesh të aferave korruptive, të korrupsionit dhe hajdutërisë qeveritare që po shtohet dita ditës në Shqipëri edhe në këto ditë të emergjencës civile.

Nismat ligjore për të penguar lirinë e shprehjes kanë vetëm një qëllim, të manipulojnë, të mbajnë të fshehura të vërtetat e gjendjes së keqe ku e ka katandisur kjo qeverisje vendin.”, u shpreh Basha gjatë fjalës së tij.