Pas kërcënimeve me jetë, Agron Tufa largohet nga Shqipëria bashkë me familjen, kërkon azil politik në Zvicër

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasoja të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK) Agron Tufa është larguar nga Shqipëria dhe ka kërkuar azil politik në Zvicër.

Lajmin e bën me dije në një postim në rrjetet sociale avokati i tij Kujtim Cakrani.

“Kërcënimet dhe zvarritja pafund e gjyqit, mosfillimi i procesit ndaj Cajës, kërcënimet në rrugë dhe format e fshehta të shantazhit, e kanë shtyrë Drejtorin e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit Z. Agron Tufa, të kërkojë strehim politik për të mbrojtur familjen dhe jetën e tij! Në një vend ku krimi komunistë i djeshëm është më i egër se kurrë, kërkimi dhe vendosja e drejtësisë është e pamundur”, – shkruan Cakrani.

Mësohet se Tufa ndodhet aktualisht bashkë me familjen në Zvicër, pasi sipas burimeve ai është shprehur se ndihet i pasigurtë dhe në rrezik.

Që nga aty ai ka paraqitur dorëheqjen nga posti si kryetar i ISKPK, nëpërmjet një letre dërguar kryetarit të Bordit Drejtues te ISKPK, Uran Butka.

Shpeshherë vetë shkrimtari ka publikuar në rrjetet sociale mesazhet kërcënuese që ka marrë, edhe nëpërmjet avokatit të tij Kujtim Cakranit.

Tufa publikoi edhe mesazhet në rreshtat e të cilëve shkruhej se e priste gropa.