Politikanët dhe biznesmenët nuk mund të fshehin më para jashtë, ja kur do bëhen publikë EMRAT që kanë llogari në parajsat fiskale

Politikanët apo biznesmenët shqiptarë që kanë para të fshehura në parajsat fiskale do të bëhen publik.

Nga 1 qershori i vitit të ardhshëm, drejtoria e përgjithshme e tatimeve do të ketë në dispozicion listën e të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë para të mbyllura jashtë shtetit, përfshirë ato të fshehura në parajsat më të mëdha fiskale të botës. Ndërkohë që në të njëjtën kohë, autoritetet shqiptare do të zbulojnë listat e shtetasve të huaj që kanë depozita në Shqipëri.

Në vitin 2012 Shqipëria nënshkroi konventën ndërkombëtare për ndihmën në çështjet tatimore. E iniciuar nga OECD si mekanizëm për të luftuar evazionin në shkallë globale, konventa parashikon shkëmbimin e informacionit financiar mes 130 vendeve të botës, përfshirë parajsat më të mëdha fiskale.

Shqipërisë ju la 8 vjet kohë për tu përgatitur dhe nga viti I ardhshëm qeveria shqiptare është e detyruar të nisë shkëmbimin automatik të informacionit. Për këtë parlamenti pritet që brenda pak ditëve të miratoi edhe një ligj të posaçëm.

Sipas draftit, brenda datës 30 maj të vitit të ardhshëm të gjitha bankat shqiptare janë të detyruar të raportojnë pranë drejtorisë së përgjithshme të tatimeve, llogaritë bankare të çdo shtetasi të huaj, rezident në 130 vendet që kanë nënshkruar konventën. Drejtoria e Tatimeve më pas këtë informacion e raporton automatikisht tek homologia e saj e vendit ku është rezident personi që ka llogarinë.

Ky shkëmbim do të funksionojë në të njëjtën mënyrë edhe në krahun tjetër. Pra brenda datës 30 maj të vitit të ardhshëm, të 130 vendet anëtare të konventës do të dërgojnë në drejtorinë e përgjithshme të tatimeve listën e shtetasve shqiptare që kanë para të mbyllura në bankat e këtyre vendeve. Mes vendeve që do të kenë detyrimin për të dërguar listën janë ishujt Kayman, Qipro, Zvicra, dhe të gjitha parajsat më të mëdha fiskale të botës dhe sipas draftit periudha raportuese nis nga data 1 janar e vitit 2019.

Top Channel