Rama niset për në Londër, mesazh qytetarëve: Sa më pak televizor, hiç portale dhe qenefe dixhitale

Pak përpara se të niset ditën e sotme për në samitin e NATO-s në Londër, kryeministri Edi Rama ka ndarë një video-mesazh me të gjithë ndjekësit.

Kreu i qeverisë u shpreh se qeveria do të jetë në gatishmëri për të qenë pranë të prekurve nga tërmeti.

Gjithashtu ai kërkoi që asnjë të mos hapi ekranet e televizorëve dhe të ndjekin portalet duke i cilësuar si “qenefe dixhitale”.

MESAZHI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA

Miqtë e mi, detyra ma kërkon të largohem sot drejt Londrës për samitin e NATO-s. S’do jem mes jush sot dhe nesër.

Me të mbaruar samiti, nesër pasdite do të fluturoj për Tiranë, por me një ndalesë në Romë. Ku do të jem në emisionin “Porta a Porta” për situatën dhe do të kërkoj solidaritet nga shtëpia jonë e dytë, Italia.

Me të mbaruar do të kthehem menjëherë natën, për mbledhjen e zakonshme të orës 07:00 të qeverisë, (s’është më e jashtëzakonshme), dhe për seancën e rëndësishme në parlament, ku do të kalojmë buxhetin për tërmetin. Padiskutim që samitin e NATO-s do e shfrytëzoj sa më shumë për ju. Asnjë merak për 24 orët se do të jemi në komunikim. Në terren do të vijojë gjithçka siç duhet.

Më keni parë, mua, por edhe ministra, zv.ministrat, etj, s’do të bëja dot kurrë as çerekun e tyre. Valët e tërmetit shyqyr janë qetësuar, dhe dëmet psikologjike kanë ikur. Hotelet do të mikpresin deri në nevojtarin e fundit, ata të zonave urbane, ndërsa ata të zonave rurale do t’i pajisim me çadra.

Më falni të gjithë ata që s’janë sistemuar akoma, ne s’po rrimë duarkryq, nuk po flemë. Ju lutem durim, dhe sa më pak televizor. Hiç portale dhe qenefeve dixhitale.

Më vjen keq për gjuhën por të keqen e qenefit, kur sheh se çfarë ere të rëndë mërzie dhe pasigurie e pështjellimi e përzierje krijojnë të ashtëquajtura burime informimi, dhe sesa të pakta janë pasqyrimet njerëzore e shkencore në panairin mediatik të Shqipërisë por, për fat të keq, njësoj edhe të Kosovës.

Përqafime të gjithëve dhe kurajo, se ajo që s’të vret të bën më të fortë. Të ngrihesh sa herë që rrëzohesh, e ndjej fortë këtë. Shqipëria e plagosur do të ringrihet më fort.