“U shkoni deri në fund hetimeve dhe verifikimeve”, Meta thirrje të prerë Prokurorisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar në emisioni “Përballë”, i ka bërë thirrje prokurorisë që t’i shkojë deri në fund hetimeve të nisura për ndërtesat e shembura pas tërmetit. Meta deklaroi se kësaj çështjeje i duhet shkuar deri në fund me qëllim që të mos ketë më papërgjegjësi.

“Padyshim që në mbledhje u diskutuan edhe shumë çështje të tjera, që kishin të bënin me një bashkëveprim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve shtetërore për të përballuar emergjencën aktuale mjaft të mprehtë për sistemin e mijëra familjeve që nuk mund të kthehen për momentin në banesat e tyre.

Diskutuam për evidentimin e të gjithë këtyre dëmeve, që duken se janë mjaft të konsiderueshme dhe do të kërkojnë kohën e duhur, dhe njëkohësisht edhe për një plan për rivendosjen e normalitetit të plotë për të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore, por edhe për të gjithë shoqërinë dhe shtetin, pasi kuptohet që ky është një plan që do të kërkojë mobilizimin e burimeve të brendshme, edhe financiare, do të kërkojë rishikim të buxhetit, por do ta ketë të domosdoshme që edhe të sigurojë burime ndërkombëtare të financimit dhe të mbështetjes.

Të gjitha këto masa kërkojnë një bashkëveprim të shpejtë, me prioritete sa më të qarta.

E rëndësishme është që prokuroria t’i shkojë deri në fund këtyre hetimeve për të evidentuar përgjegjësitë penale të të gjithë personave, përfaqësues të institucioneve vendore, qendrore apo biznesit privatë, për gjithë këtë fatkeqësi, apo më saktë për ato objekte që nuk i kanë rezistuar këtij tërmeti dhe për të cilat ka pasur edhe shqetësime apo paralajmërime më parë për t’u verifikuar. Pasi dihet që ky tërmet është paraprirë nga një tjetër mjaft serioz si ai i 21 shtatorit 2019″, u shpreh presidenti Meta.