Analiza e buxhetit të bashkive: Kanë krijuar varësi nga taksa e ndërtimeve të reja

Për shkak të varësisë që buxheti i bashkive dhe sidomos i asaj të Kryeqytetit ka krijuar ndaj taksës së ndikimit në infrastrukturë, njësitë e pushtetit vendor do të nxiten gjithnjë e më shumë për të dhënë leje ndërtimi me qëllim që të ruajnë potencialet e të ardhurave, analizoi Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në Raportin mbi Financat Publike Vendore”  të 9-mujorit 2019.

Analiza tregon se burimet financiare totale janë rritur, por rritja diktohet nga performanca e bashkisë Tiranë dhe zhvillimet në dy taksa kryesore: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (TNI) dhe taksa e pronës.

Raporti referon se bashkia Tiranë përbën një entitet me karakteristika tërësisht të ndryshme nga 60 bashkitë e tjera në vend. Kjo ngre pyetje mbi modelin e decentralizimit të zbatuar në Shqipëri.

Varësia nga të ardhurat nga TNI mbetet e lartë, për bashkitë ku kjo taksë ka peshë specifike të lartë, si një e ardhur kapitale dhe jo e vazhdueshme;

Të ardhurat nga taksa e pronës janë larg pritshmërive, por në 2020 pritet një kontribut më i lartë në vijim të aplikimit të metodologjisë së re sipas vlerës së pronës;

Të ardhurat nga taksat e ndara zënë peshë relativisht të ulët në buxhetin vendor por në të ardhmen mund të luajnë një rol më të rëndësishëm për të zbutur deri diku diferencat në kapacitetin fiskal të bashkive.

Shtimi i mjeteve financiare u kanalizua gjerësisht në mbulimin e shpenzimeve korrente: shpenzime për paga, operative dhe të tjera.

Investimet totale shënuan rritje të lehtë, diktuar nga rritja e investimeve me fonde të veta të bashkive.

Shpenzimet totale shënuan rritje me rreth 5.0% në terma vjetorë. 70.9% e fondeve shkoi për mbulimin e shpenzimeve korrente dhe 29.1% për shpenzime kapitale.

Shpenzimet totale sipas klasifikimit ekonomik sugjerojnë se dy funksionet që përthithin fonde më shumë janë “mbrojtja sociale” dhe “strehimi dhe komoditetet e komunitetit”.

Shpenzimet  e bashkive me fondet e veta shënuan një nivel prej rreth 42.2 miliardë lekë në fund të 9-mujorit 019, në rritje me rreth 11.1% në terma vjetorë

Sipas natyrës ekonomike, zgjerimi i shpenzimeve të kryera me fonde të veta me rreth 11.1% në terma vjetorë u përcaktua gjerësisht nga rritja e shpenzimeve kapitale. Pozitivisht por në masë më të ulët kontribuoi edhe zgjerimi i shpenzimeve korrente.

Bashkitë shpenzuan rreth 14 miliardë lekë për investime në fund të periudhës në analizë, në rritje me rreth23.7% në terma vjetorë. Shpenzimet për personelin dhe ato operative dhe të tjera vijojnë të rriten ndonëse me ritme më të moderuara krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Shpenzimet kapitale me fonde të veta paraqiten të luhatshme dhe paraqesin prirje rritëse nga viti në vit./ Monitor