“Jepi naj gjë, a të iki atje unë?” Dalin përgjimet, ja kush i ‘fundosi’ policët dhe zyrtarët e arrestuar në Durrës

Pas arrestimit të 18 zyrtarëve të policisë dhe pushtetit vendor, mbi të cilët rëndon akuza për “Shpërdorim detyre”, është zbardhur dosja e Prokurorisë së Durrësit dhe SHÇBA-së.

Ai që i ka fundosur 18 të arrestuarit e mësipërm është pikërisht komisariati dixhital. Aplikacion ky që ka zbuluar shkeljet e tyre,, nga ku dilte që ata bënin foto objekteve të ndërtuara pa leje dhe më pas i tjetërsonin dhe i fshinin.

Sipas Balkanweb, nga ajo që raportohet nga dosja hetimore, zyrtarët lejonin ndërtimet pa leje kundrejt pagesave që varionin nga 1500 deri në 7 mijë euro.

“Shtetasi Nikoll Marku me detyrë OPGJ, ka për detyrë të konstatojë dhe të kryej veprime procedurale për ngjarjet që ndodhin në Njësinë Administrative Sukth. Shtetasi Gjon Zefi, me banim në fshatin Rrushkull ka një banesë 2- kate dhe ngjitur me banesën po ndërton pa leje një objekt 1 kat. Objekti pa leje është ndërtuar në muajin Shtator të vitit 2019, e në vazhdim, ku për ndërtimin pa leje është raportuar në komisariatin digjital.

Në lidhje me këtë objekt ka kryer veprime procedurale por nga përgjimet telefonike, rezulton se nuk është dokumentuar ndërtimi i paligjshëm 1 kat, por janë kryer veprime për disa punime pa leje për kanalizim dhe tubacione, me qëllim për të shmangur ndjekjen penale të shtetasit Gjon Zefi. Nga transkriptimi i bisedave telefonike të shtetasit Gjon Zefi rezulton se ky shtetas kontakton me një person tjetër, i cili e mëson se çfarë veprimesh duhet të bëjë tek banesa e tij si dhe të heqë veglat e punës nga aty (një betoniere).

Gjithashtu nga biseda e zhvilluar shtetasi Gjon Zefi i tregon djalit të tij se si të flasë në lidhje me ndërtimin tek banesa e tij “..duke be tubacione se kanë qu një ekspert nga Durrësi me be veprimet thuj atij ashtu… jepi atij naj gje”.. ndërsa ai i thotë “..a të iki atje fare unë”, më pas Zefi i thotë “..hiq betonieren nga aty fute brenda dhe thuaj që jam duke bë tubacionet dhe kullimet se betonin e avllisë e kemi bë kur kemi be shpinë se jam këtu me Ganiun..”. Nga transkriptimi i bisedave telefonike rezulton se kanë dijeni dhe punonjësit e policisë Gani Dama dhe Sami Xhafa”, thuhet ne dosjen e Prokurorisë.