Plagosje me thikë në Tiranë, 37-vjeçari në gjendje të rëndë

Pas vrasjes në zonën e Astirit, një tjetër ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur mbrëmë në Tiranë.

Mësohet se sot në spital ndodhet një 37-vjeçar në gjendje të rëndë shëndetësore, i cili është goditur disa herë me një mjet shpues e prerës nga një i ri.

Pak orë pas ngjarjes, uniformat blu kanë vënë në pranga autorin e dyshuar, 19-vjeçarin me iniciale A.H.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE

E godet disa herë më thikë duke e plagosur rëndë një 37-vjeçar, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kapet dhe arrestohet autori.

Nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas, tek shinat e trenit, rreth orës 20:05 të mbrëmjes së datës 20.01.2020, për motive të dobëta ka goditur disa herë me një mjet shpues e prerës shtetasin I. Z., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe pas rreth dy orë kërkimesh dhe kontrollesh në zonë, bënë të mundur gjetjen, kapjen dhe arrestimin e 19-vjeçarit.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën “Plagosja e rëndë me dashje”.