Takim i rëndësishëm, ambasadorja amerikane Yuri Kim shkon në zyrën e Metës

Ambasadorja e re amerikanë në vendin tonë Yuri Kim, ka shkuar sot në Presidencë për të zhvilluar një takim me presidentin Ilir Meta.

Mësohet se arsyeja e këtij takimi është se Kim do të paraqesë letrat kredenciale te Kreu i Shtetit.

Gjithashtu bëhet me dije se në orën 11:45 ajo do të mbajë dhe fjalimin e prezantimit në ambasadë.

Kujtojmë që Yuri Kim ka nisur zyrtarisht punën si përfaqësuese e SHBA në Shqipëri para katër ditëve.

Pasaardhsja e Donald Lu, Yuri Kim ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.

Ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.