Çfarë fshihet pas fotos me Ardjan Çapjan? Përgjigja e Ramës

Kryeministri Edi Rama ka folur për foton e publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ku kreu i qeverisë shfaqet në shoqërinë e Ardian Çapjas, i akuzuar për kryerjen e disa krimeve në qytetin e Elbasanit.

Rama e pranoi se ka bërë foto me Çapjan, madje deklaroi se kanë bërë edhe një tjetër foto disa vite më parë, për të cilën thotë se ata e kanë varur në murin e resortit “Univers”, që Çapjat kanë në pronësi.

“Ky është holli i një hoteli, më kanë ardhur zotëria dhe zonja më kanë thënë a mund të bëjmë një fotografi dhe nuk është vetëm kjo, është edhe një fotografi tjetër e bërë para disa viteve që nuk e di a e kanë ata. Unë kam qenë në këtë hotel se në Elbasan janë organizuar disa konferenca”, u shpreh kryeministri në emisionin “Opinion”.

Teksa u pyet nga gazetarja Klodiana Lala, nëse ishte i informuar se “Univers” ishte resorti i familjes Çapja dhe pronarët e tij janë të akuzuar për një sërë krimesh, kreu i qeverisë deklaroi se nuk e di.

“Jo, jo, jo, nuk isha i informuar dhe nuk ka problem me këtë foton dhe kam pasur bërë edhe një foto tjetër shumë vite më parë që e kishin vënë në mur ata”, theksoi Rama.