Detaje të reja/ Kolecaj qëlloi 10 herë plumba ndaj policisë, si u vetëvra në tualetin e shtëpisë

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Zejmen të Lezhës. Fatmir Kolecaj i dha fund jetës duke u vetëvrare vetëm dy ditë pasi vrau me armë zjarri ish-gruan dhe vëllain e saj në Kodër Rrëshen të Mirditës.

Sipas burimeve para se 47-vjeçari të vetëvritej, ka qëlluar mbi 10 herë nga ballkoni i shtëpisë në drejtim të policisë të cilët e kishin rrethuar, duke i bërë thirrje që të dorëzohej.

Fillimisht hapi zjarr ndaj policisë, duke lënë të plagosur efektivin e FNSH-së të
Shkodrës, më pas Kolecaj ka hyrë brenda shtëpisë dhe ka qëlluar veten në tualetin e banesës.

Ndërkaq, nga kontrolli në banesë janë sekuestruar një armë zjarri si dhe dy granata. Dyshimet janë se pikërisht me armën që u vetëvra Fatmir Kolecaj të ketë kryer edhe krimin makabër.

Sipas informacioneve mësohet se Fatmir Kolecaj u pikas nga policia duke lëvizur në këmbë përgjatë malit dhe më pas ka hyrë në banesën e tij.

Për arrestimin e tij në ndihmë të policisë së Lezhës ishin dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës dhe ato RENEA, ndërsa u krijua një perimetër sigurie për shkak se zona ku ndodhi përplasja me policinë është shumë e populluar.