Rrëmbim fëmije dhe vrasje/ Këta janë 3 të shumëkërkuarit nga Policia e Shtetit (EMRAT-FOTO)

Ditën e sotme Policia e Shtetit ka nxjerrë të dhënat për 3 persona të tjerë të cilët janë shpallur në kërkim.

Dy prej tyre janë të dënuar me burgim të përjetshëm.

Bëhet fjalë për shtetasin Flamur Ndino, i cili ka rrëmbyer një fëmijë të mitur në 1995 me qëllim për ta trafikuar dhe Misir Taren, i cili ka vrarë bashkëshorten dhe prindërit e saj në 1993.

Gjithashtu në listën e të shumëkërkuarve është dhe Besnik Coka, i dënuar me 25 vjet burg i cili në bashkëpunim me persona të tjerë ka vrarë një polic.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE

Ja 3 personat e radhës, objekt i punës së Njësisë së Kërkimit

I dënuari me burg përjetë Flamur Ndino

Në datën 4 qershor 1995, në qytetin e Fierit, shtetasi Flamur Ndino, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka rrëmbyer me qëllim trafikimi fëmijën e mitur J. L., 3 vjeç, banues në Fier.

Shtetasi Flamur Ndino është dënuar me burgim të përjetshëm, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Rrëmbimi i fëmijës, i kryer në bashkëpunim”.

I dënuari me burg përjetë Misir Tare

Në datën 30 maj 1993, në fshatin Pashalli, Berat, shtetasi Misir Tare ka kryer vrasjen e shtetases L. T, bashkëshortja e tij dhe të prindërve të saj, shtetasit Xh. D dhe A. D.

Misir Tare është dënuar me burgim të përjetshëm, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Vrasja e trefishtë”.

Besnik Coka, i dënuar me 25 vjet burg

Në datën 25.08.1997, në vendim e quajtur “Ura e Setës”, në Dibër, shtetasi Besnik Coka, në bashkëpunim me persona te tjerë, ka vrarë shtetasin M. K. (punonjës policie).

Besnik Coka është dënuar me 25 vjet burg, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.