U tërhoq nga Vetting-u/ Ja posti i ri i gruas së anëtarit të KQZ-së

10 ditë pasi Elona Kana ndërpreu me dorëheqje procesin e vetingut, qeveria në mbledhjen e djeshme vendosi që ta emëronte në detyrën e anëtares së Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, për periudhën e mbetur të mandatit. Elona Kana është gruaja e n/kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e socialistëve, Denar Biba.

Elona Kana u përball fillimisht me vetingun në tetor të vitit të kaluar si këshilltare në Gjykatën e Lartë. Në seancën e parë ajo kërkoi dorëheqjen e relatores Xhensila Pine, por më pas Kana paraqiti dorëheqjen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Shkollën e Magjistraturës.

Ndërkohë që në datë 3 shkurt, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë procesin e vetingut dhe të ndalojë për 15 vjet mbajtjen e posteve në drejtësi nga ana e këshilltares ligjore Elona Kana, bashkëshorte e nënkryetarit të KQZ, Denar Biba. Pas vendimit të vetingut që i ndaloi mbajtjen e posteve në drejtësi për 15 vite, Elona Kana u emërua nga Këshilli i Ministrave në postin e ri.