“Kush del nga shtëpia është budalla ose kriminel” Mjeku zbulon skenarët: Ja ç’ndodh nëse rëndohet situata

Një nga mesazhet më të forta drejtuar qytetarëve në këto ditë pandemie të koronavirusit është padyshim dhe thirrja për të qëndruar në shtëpi.

Për të njëjtën gjë ka folur edhe mjeku reanimator pranë QSUT, Krenar Lila, i cili është njëkohësisht dhe koordinator përgjegjës për organizimin e punës së shërbimit anestezi-reanimacion në të gjitha strukturat spitalore shëndetësore që do të trajtojnë personat me COVID19.

Duke folur në një lidhje me Skype për programin “Real Story” Lila tha se deri më tani spitali Infektiv përmbush të gjithë fluksin dhe në rast se do të ketë nevojë për spitale të tjera, pacientët do të dërgohen te “Shefqet Ndroqi”.

Ai u tregua dhe i ashpër me qytetarët që shkelin rregullat, që nuk i binden urdhërit për të qëndruar në shtëpi.

“Spitali i parë që do të trajtojë personat me COVID është Infektivi. Ka kapacitet prej 120 shtretër. Në rikonstruksionin e fundit që iu bë, u rrit furnizimi i shtretërve me oksigjen, që të bëhej e mundur instalimi i oksigjenit.

Spitali Infektiv është i aftë që të trajtojë rreth 60 të sëmurë me respiracion të drejtuar, pra trajtimi i të sëmurëve në gjendje kritike. Nëse numri i të sëmurëve do ishte më i madh, do kalonin tek ‘Shefqet Ndroqi’ dhe janë 180 vende. Por në këtë spital do i nënshtrohet rikonstruksioni sistemit të oksigjenit për të rritur furnizimin e tij. Nuk arrijë të kuptojë dot njerëzit që i shoh në rrugë, nëse janë naiv, budallenj, apo kriminelë.

Naiv është ai që është i paidentifikuar dhe del në rrugë për t’u infektuar. Nuk arrijë të dallojë dot atë që është bartës që merr ‘pistoletë’ dhe qëllon të tjerët. Është e tmerrshme se si njerëzit nuk po e kuptojnë, se çfarë i bëjnë vetes me këtë mënyrë sjellje, duke dalë në rrugë dhe duke u infektuar të tjerët. Atë çka bëjmë ne, për të shpëtuar jetë njerëzish, këta mund ta bëjnë më tepër se ne. Ata që dalin nga spitali, do dalin me ngarkesë virale zero që mos të infektojnë askënd.”, tha Lila.